Publikohen pamjet, i riu u rrah dhe u qëllua me armë zjarri në Prishtinë

            Incidentit që ndodhi sot në Prishtinë, ku mbeti i plagosur një person dyshohet se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës.

Ky i fundit u sulmua dhe u qëllua me armë zjarri nga të dyshuarit, të cilët akoma nuk janë identifikuar.Policia e ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit”, tha për Telegrafin Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës.