Punësimi dhe sfidat e të rinjve në Shqipëri;Nga –Eli Zeneli
Emigrimet masive të të rinjve, kryesisht në vendet e Bashkimit Europian janë rezultat i dështimit të politikave institucionale për sa i përket punësimit.Mjaft studime me karakter sociologjik kanë trajtuar një fenomen që quhet “brain drain” – rrjedhja e trurit. “Brain dain” është një etiketim i përdorur për të përshkruar dukurinë e profesionistëve të talentuar dhe shumë të kualifikuar nga një shtet, i cili është shteti i origjinës, në një tjetër, që njihet si vendi pritës (UK Essays, 2017). Shoqëria shqiptare është përballë një realiteti të vështirë. Të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë kufijve të Shqipërisë nuk dëshirojnë të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Mungesa e dëshirës për t’u kthyer në atdhe lidhet me kushtet socio-ekonomike dhe politike në tranzicion (VoA, 2019) .
Përveç kësaj, shoqëria shqiptare ka një sfidë akoma më të madhe, e cila është emigrimi i forcës punëtore të kualifikuar. Vende si Gjermania, në vitet e fundit, duke përdorur faktorë tërheqës si pagesa më të mira, kushte më të mira pune ka tërhequr forcë punëtore të specializuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ka bërë të mundur që shumë të rinj, kryesisht të diplomuar në fushën e mjekësisë të emigrojnë në Gjermani në kërkim të një jetese më të mirë.
Sipas raportit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIC), Gjermania mbetet destinacioni kryesor i largimit të të rinjve..Siç shihet politikat e punësimit është në nivele të ulëta. Sfidat konkrete me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës. Studime të shumta me karakter empirik provojnë që të rinjtë hasin shumë pengesa në ballafaqimin me tregun e punës. Sfidat më të shpeshta që ata hasin në tregun e punës lidhen me përvojën apo e thënë ndryshe “eksperienca e famshme”, që i kërkohet një studenti/je të sapo diplomuar.
Niveli i pagave është një tjetër sfidë. Ekziston një raport i zhdrejtë ndërmjet pagës dhe kostove mesatare të jetesës. Çështje të tjera të njdeshme lidhen me kushtet e punës, orari i punës, mungesa e një kontrate pune, në rastet dërrmuese të ofertave të punës. Sjelljet e të rinjve ndaj ofertave të tregut të punës nuk janë të njëjta. Niveli arsimor është një ndër faktorët e rëndësishëm që ndikon në formimin e sjelljeve të të rinjve ndaj cilësive të ofertave të punësimit . Tek të rinjtë me arsim të ulët 9 vjeçar, niveli selektues në sjelljen ndaj ofertave është i ulët. Kjo mund të jetë edhe një ndër arsyet që ky grup të rinjsh është edhe kontigjenti kryesor i të rinjve të punësuar në mënyrë informale ose në tregun e zi të punës. Edhe tek të rinjtë me arsim të mesëm profesional ky nivel selektimi është i ulët por, në ndryshim nga te rinjtë me arsim të ulët, kjo sjellje, në një masë të madhe, kushtëzohet nga fakti se këta të rinj preferojnë vetëpunësimin.
Nënvlerësimi që të rinjtë shfaqin ndaj mundësive për karrierë, që u ofron ose jo një ofertë punë , tregon se, aktualisht sjellja psiko-sociale e të rinjve shqiptarë ndaj ofertave të tregut të punës, në një masë të konsiderueshme, mund të karakterizohet si sjellje e një individi që kërkon punë për të siguruar nevojat minimale për jetën. Këtë sjellje e përforcon edhe fakti që të rinjtë janë të gatshëm që, për të siguruar një vend pune, të pranojnë punë me orare të zgjatura dhe të tolerojnë ndaj kushteve jo të mira të punës ose distancës së vendit të punës. Kjo situatë është karakteristike për të rinjtë në vendet në zhvillim dhe, në përgjithësi shfaqet si fenomen mbizotërues në sjelljen e të rinjve që u përkasin familjeve me nivel të ulët ekonomik (Kahraman B., 2011). Një sjellje e tillë, kryesisht në vendet me ekonomi në zhvillim, shpesh bashkëshoqërohet edhe me nivelin e ulët të kërkesës së të rinjve për t’u punësuar me një kontratë pune të rregullt. Pasojë e kësaj është frekuenca e lartë e punësimit informal të të rinjve (ILO, 2020).
Realiteti i punësimit të të rinjve në Shqipëri është në raport të zhdrejtë me politikat strategjike për punësimin.
Përveç rregullimit të tregut të punës brenda vendit, sfida kryesore për autoritetet qeverisëse dhe vet shoqërinë shqiptare është frenimi i emigrimit masiv të forcës punes, që është rinia.
Rinia është ajo grupmoshë e popullsisë, nga e cila varet e ardhmja e ecurisë së një vendi, e ardhmja e një populli. Mbajta e kësaj pjese vitale të popullsisë dhe që premton shumë për vendin, le të kthehet në angazhimin maksimal dhe vëmendjen kryesore të qeverisë shqiptare, sistemit arsimor, qendrave të trajnimit dhe formimit professional, bizneseve dhe sipërmarrjeve private, OJF-ve, etj, për ta bërë më të lehtë integrimin e tyre në sferën e jetës social, ekonomike dhe politike të vendit. Rinia është “mushkria” e vendit, le ta trajtojmë me kujdesin maksimal, në mënyrë që Shqipëria të mos vuaj nga mungesa e frymëmarrjes.