Qeveria Hoti deklarohet për shkuarjen në burg të deputetit Arifi
“Nuk presim se do të paraqesë ndonjë problem. Nuk presim se do të paraqesë vështirësi në punën e qeverisë. Le të presim. Ne do të vazhdojmë agjendën e përditshme të punës së qeverisë”, tha Beqiri.
Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmoi të martën, se deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është dorëzuar sot në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Arifi ishte në arrati, pasi qe dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove. Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme. Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.Votimin për Qeverinë Hoti nga Etem Arifi, partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e kontestoi dhe e ka dërguar këtë rast në Gjykatën Kushtetuese.Deri më tani, Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast./Rel