Qeveria Hoti kalon në detyrë kur publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses

0

Më 21 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta rrëzojë Qeverinë Hoti dhe që vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo pasi që vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme. E njëjta ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”. Nga Zyra e kryeministrit po thonë që ende nuk e kanë pranuar aktgjykimin e plotë e që sipas njohësve pa u publikuar në këtë formë në Gazetë Zyrtare, Qeveria aktuale “gëzon legaliteti të plotë”.


Edhe pse kanë kaluar pesë ditë qysh nga shpallja e aktgjykimit nga Kushtetuesja për votën e deputetit Etem Arifi, Qeveria ende nuk e ka pranuar atë në formën e plotë. Kjo bën që Qeveria aktualisht të gëzoj legjitimitet të plotë.

Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku tha për Express, se deri në momentin e pranimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja, ekzekutivi do të punojë me kompetenca të plota.

“Jo ende nuk e kemi pranuar aktgjykimin e plotë. Deri të hënën nuk punojnë institucionet. Kur ta pranojmë ju njoftojmë se prej asaj dite kalojmë Qeveri në detyrë dhe fillon numërimi i 40 ditëve”, ka thënë Baxhaku për Express.

Në ndërkohë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për Express se vendimi i Kushtetueses ka fuqi dhe pasoja juridike vetëm pas shpalljes në Gazetën Zyrtare. Kështu sipas tij aktualisht Qeveria “Hoti” ka legjitimitet të plotë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi dhe pasoja juridike vetëm pas publikimit dhe shpalljes në Gazetën Zyrtare, kur edhe konsiderohet si ligj I aplikueshëm në Kosovë. Deri në publikimin e këtij vendimi në Gazetën Zyrtare, Qeveria Hoti ka legjitimitet si çdo qeveri e themeluar në bazë të Kushtetutës në aspektin legal”, ka thënë Miftaraj për Express.

Në ndërkohë, me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi i cili vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.

Kështu ai mori pjesë edhe në votimin për zgjedhjen e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin më 3 qershor 2020.

Sipas neni 71.1 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit;

Po me neni 70.3 (6) të Kushtetutës përcaktohet qartë se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim.

Kështu sipas aktgjykimit të Kushtetueses është konstatuar se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

Po ashtu në vendim është theksuar se Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Deri në shpalljen e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk është Qeveri në detyrë, por Qeveri me legjitimitet të plotë kushtetuese e ligjor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *