Qeveria Kurti harton projektligj për krijimin e policisë ushtarake, me fuqi mbi KFOR-in, ndërkombëtarët dalin kundër

0

                                      Ministria e Mbrojtjes është në fazën e konsultimeve për projektligjin për policinë ushtarake. Por, burimet diplomatike i kanë thënë Kanal10 se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë nuk po e përkrah një dokument të tillë, pasi që një mekanizëm i tillë, i jep kësaj policie fuqi mbi të gjitha prezencat ndërkombëtare në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka hartuar një projektligj që synon zgjerimin e kompetencave të policisë ushtarake në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por, zyrtarizimi i këtij dokumenti, do të bënte që një mekanizëm i tillë të ketë fuqi mbi të gjitha prezencat ndërkombëtare në vend, përfshirë KFOR-in.Sipas pikës 2 të nenit 7 thuhet se Policia Ushtarake autoritetin e saj e ushtron mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendore dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre cenojnë veprimtarinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi. Ndërkohë, burimet diplomatike i kanë thënë Kanal10 se projektligji ka shqetësuar përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe po vlerësohet si antikushtetues. Për këtë, televizioni i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Mbrojtjes, për të kërkuar përgjigje lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji dhe nëse ai mund të bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Nga kjo ministri kanë kthyer një përgjigje të përgjithshme, mirëpo duke mos dhënë sqarime lidhur me pyetjet e dërguara. Aty thuhet se projektligji nga 9 shtatori ka nisur fazën e konsultimeve dhe ky proces do të zgjasë deri më 29 shator. Në përgjigje thuhet se Ministria fton palët e interesuara dhe publikun për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në procesin e konsultimeve që nënkupton ofrimin e komenteve dhe rekomandimeve të nevojshme në mënyrë që ky projektligj të jetë sa më cilësor.“Me këtë rast, ju ftojmë juve si media, por edhe palët tjera të interesuara dhe publikun e gjerë, që të marrin pjesë aktivisht në procesin gjithëpërfshirës të politikë-bërjes dhe nismave tona legjislative në proces dhe ato në të ardhmen duke ju garantuar transparencë dhe përgjegjësi të plotë”.Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, me 26 mars 2007.Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *