Qeveria ndan 20 milionë për tejkalimin e krizës energjetike
Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur sonte në formë elektronike, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.Në njoftimin nga mbledhja e Qeverisë, thuhet se vendimi i parë i miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilës Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtohet masa 3.7, -Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.“Vendimi i dytë është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.“Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi ‘Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike’ te kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’, në nën programin ‘Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike’”, thuhet në njoftim.Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.