Qeveria nuk e miraton projektligjin për pandeminë, të inicuar nga Vjosa Osmani

0

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot nuk e ka miratuar projektligjin për pandeminë pasi e ka cilësuar si të panevojshëm hartimin e ligjit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë, inicimin e së cilit e kanë nisur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka paraqitur qëndrimin e Qeverisë sa i përket këtij Projektligji duke theksuar se Qeveria e konsideron të panevojshëm miratimin e tij.

“Të nderuar para jush paraqes mendimin e qeverisë për nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19. Sipas procedurave përkatëse të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellur opinionet e tyre sipas fushëveprimit të tyre. Në këtë rast Qeveria e Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës për rregullim të ri ligjor përmes të cilit bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë”.

“E vlerëson të panevojshëm miratimin e Projektligjit për parandalimin ose luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë mjaftueshëm fushën e luftimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka kërkuar që të miratohet mendimi i Qeverisë sa i përket këtij Projektligji, ku me shumica votash ky mendim u aprovua nga anëtarët e kabinetit qeveritar.

Hartimi i një ligji të veçantë, përmes së cilit do të rregulloheshin disa prej çështjeve që lidhen me menaxhimin e pandemisë, ka qenë kërkesë e Gjykatës Kushtetuese, e cila muaj më parë kishte vlerësuar si antikushtetuese disa prej vendimeve të marra nga ish-kryeministri Albin Kurti. /Reporteri.net/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *