Qindra ish-të burgosur politikë në pritje për t’u kompensuar

               Përkundër dhembjes dhe maltretimeve që dikur patën nga regjimi serb, ish-të dënuarit (burgosurit) politikë janë kategori e diskriminuar që nga paslufta. Ndonëse Rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish-të dënuarve politik është nxjerrë në mars të vitit 2013, me ç’rast është themeluar edhe Komisioni për njohjen e statusit të dënuarve politik dhe ish-të burgosurve politikë, kompensimi i kësaj kategorie nuk ka përfunduar ende.

E shkak i kësaj është përfundimi i mandatit dyvjeçar i Komisionit, me ç’rast është parë e domosdoshme vazhdimi i mandatit të saj.

Sekretari I Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve politik dhe ish të burgosurve politik, Shefik Sadiku deklaroi për Ekonomia Online se nga 6 mijë aplikime, kanë arritur t’i përfundojnë mbi 5700. Të tjerat, thotë se nuk janë përfunduar shkaku i skadimit të mandatit të Komisionit.

“Afërsisht mund të japin një shifër po mund të mos jetë e saktë dikun rreth 6 mijë aplikacione janë proceduar, prej tyre përfitues kanë dal mbi 5700 persona, pjesa tjetër pse nuk janë kryer edhe komisionit i ka skaduar mandati me 11 gusht 2023 mandat 2 vjeçar ka pas nga Qeveria aktuale”, thotë Sadiku.

“Rreth 6 mijë lëndë janë të pazgjidhura prej tyre rreth 5 mijë janë për kundërvajtje, ndërkaq rreth 1 mijë lëndë tjera janë për vepra të ndryshme për të cilën do duhej komisioni me i pas nëpër duar dhe aty bën pjesë edhe një pjesë që nuk jane kompensuar ish-të dënuar të vdekur me bashëshorte të vdekur, ndërkaq është edhe komisioni i shkallës së dytë ose komisioni i ankesave dhe ai komision funksionon mirëpo në momentin që i ka skaduar mandati gjithësisht kontrata e punës së Sekretarisë së Komisionit edhe ky komision nuk mundet me punu edhe pse ka lëndë për t’u shqyrtuar”, thotë tutje Sadiku.

Ndonëse kanë kërkuar që të zgjatet mandati i këtij Komisioni, Sadiku thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje, transmeton Klankosova.tv.

Kërkesë për vazhdim të këtij Komisioni ka kërkuar edhe avokati Ardian Bajraktari. Bajraktari i cili aktualisht përfaqëson disa ish-të burgosur politik, thotë se kompensimi i tyre është obligim ligjor dhe si i tillë duhet të kryhet.

EO raporton se rreth kësaj çështjeje ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

———————————————–