Rahoveci zë vendin e parë për grantin e performancës, reagon Latifi: E arritur me seriozitet dhe përkushtim në punë
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, e ka pritur me gëzim renditjen në vendin e parë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Komunës të cilën ai e drejton për Grantin e Performancës Komunale për vitin 2022.
Latifi ka thënë se vlera e përgjithshme e Grantit është është 1,644,744.79 €.
“Sot, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka publikuar rezultatet për arritjen e përgjithshme të performancës më të mirë komunale dhe sipas këtyre rezultateve të publikuara, nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit merr vendin e parë dhe është përfituese e Grantit të Performancës Komunale, në mesin e 11 komunave përfituese të Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e Grantit të fituar për performancë të mirë komunale nga Komuna e Rahovecit, është: 1,644,744.79 €”, ka thënë Latifi.
Ai ka shtuar se ky vlerësim është dëshmi për seriozitetin, përkushtimin dhe efikasitetin e ekzekutivit komunal në Rahovec.
“Përfitimi i këtij granti është dëshmi për seriozitetin, përkushtimin dhe efikasitetin e ekzekutivit komunal në Rahovec. Kemi edhe shumë punë para vetes, jemi në rrugë të drejtë dhe jemi shembulli më i mirë i qeverisjes lokale në nivel vendi”, ka shtuar ai.
Latifi ka falenderuar bashkëpunëtorët e afërt dhe Ministrinë për angazhim dhe bashkëpunim.
“Falënderoj për bashkëpunimin e frytshëm Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe DEMOS-in për partneritetin e mirë dhe të qëndrueshëm me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedinë dhe Norvegjinë. Falënderoj për angazhimin dhe punën e përkushtuar koordinatoren për performancë, znj. Bjondina Ramaj-Fazliu, secilin anëtar të grupit punues për performancë, zyrtarët e shërbimit civil në Komunë, njëherësh ekipin tim politik dhe të gjithë qytetarët, për bashkëpunim”, është shprehur Latifi.
Latifi është zotuar se me këtë seriozitet dhe përkushtim në punë do të vazhdohet edhe më tutje.
“Ju siguroj se edhe në të ardhmen nuk do të mungojë angazhimi dhe përkushtimi që të kemi një performancë të duhur, përfshirë planifikimin urban e rural, menaxhimin e mbeturinave, si faktor kryesor i mbrojtjes së mjedisit, shërbimet publike, shëndetësore, arsimore dhe kulturore”, ka përfunduar Latifi.