Ramadani: Serbia është “në duart e dy Aleksandrave”, njëri i raporton drejtpërdrejt Putinit e tjetri tërthorazi

                Ish-shefi i Agjencisë së Intelegjencës të Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se Perëndimi duhet ta ketë të qartë se Serbia është agresori, ndërsa fokusi duhet të jetë kah Kosova.  Ai ka deklaruar në emisionin DPT te Fidani, në ATV, se Serbia është “në duart e dy Aleksandrave” duke aluduar në vetë presidentin, Aleksandër Vuçiq por edhe shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulinit, shkruan Reporteri.net. “Është me rëndësi që Perëndimi ta ketë fokusin nga Kosova, ta ketë qartësinë se kush është i keqi, në kuptimin e tendencës për destabilizimin e Ballkanit dhe këtu e kemi tepër të qartë që është Vuçiqi, Vulini dhe të tjerët. Sepse unë besoj se Serbia sot është në duart e dy Aleksandrave – pra Aleksandër Vuçiqit dhe Aleksandër Vulinit. Vulini në formë të drejtpërdrejt i shërben dhe i raporton Putinit ndërsa Presidenti i Serbisë në formë të tërthortë”, ka deklaruar ai Ramadani theksoi se nuk ka mundësi që të shpërthejë një luftë e re në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë. “A guxon Vuçiqi të niset me ushtri, të urdhërojë atë që e tha Ministri serb i Mbrojtjes, por se paraprakisht tha se do ta njoftojmë KFOR-in. Përgjigja është, në këto rrethana gjeopolitike, në këtë funksionim të botës, nuk ka asnjë mundësi që një tenkë ose ushtar i Serbisë që shërben në ushtrinë e Serbisë të futet në territorin e Kosovës”, tha ai. /Reporteri.net/.