Raporti Zyrtar që kërkoi Kryeministri, nevojë, frikë apo shantazh?! Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i PDK-së
“Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik të institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, kështu u transmetua në media se u tha në reagimin e presidencës. Pra, derisa në njërën anë e kemi Presidenten që nuk e do një raport zyrtar të qeverisë së RMV, në anën tjetër e kemi kërkesën e Kryeministrit në takimin me homologun e tij maqedonas për një raport zyrtar lidhur me eksesin e përsëritur të Presidentes në aeroportin e Shkupit. Për faktin se siguria dhe integriteti i zyrtarëve të lartë duhet të jenë gjithmonë prioritar, dhe se në rrethana më specifike të dy shteteve, kjo do të mund të çonte jo vetëm në prishje të marrëdhënieve ndërshtetërore politike e diplomatike, por do të mund të çonte edhe në konflikt të armatosur mes dy vendeve, një raport zyrtar i qeverisë maqedonase do të vendoste pikën e qartësisë mbi shumë dilema. Kjo do të shëronte sedrën shtetërore të shumë qytetarëve që shtetin dhe identitetin e presidentes së shtetit dhe Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura e kanë kod të patriotizmit shtetëror e kushtetues, e jo kategori folklorike. Atëherë përse ky reagim i presidencës me tone kërcënuese që atakonin qeveritatët që ndoshta kanë pasur situata të ngjajshme, se nuk duhet një raport i tillë, kur unë si qytetar, ushtarak e përfaqësues i popullit po ndjehem i lënduar në sedrën shtetërore nga kjo fyerje e poshtërim i të parit të vendit. Përndryshe, veç ua vuri në pah se ndoshta edhe shumë qeveritarë kanë pasur të tilla incidente dhe ato u janë mbuluar pa ndonjë raport. Edhe mund të jetë kështu, por çështja ka të bëjë me Presidenten, institucionin më të lartë në shtet, cenueshmëria e të cilit, e bën të cenueshëm edhe shtetin si subjekt ndërkombëtar. Po të nisem nga praktika e sjelljet patriotike, ta zëmë po i referohem një vendi ku kisha mundësinë të shkollohem, në Mbretërinë e Bashkuar, Mbretëresha dhe familja e saj detyrohen të përdorin vetëm makina të prodhimit anglez. Pse?! Atëherë, pse Presidentja duhet të fluturojë nga aeroporti i Shkupit?! Çfarë nuk shkon me aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës?! Nëse nuk paska linjë direkte, pse nuk përdoret me patjetër aeroporti i Prishtinës për të kaluar, ta zëmë, nga Viena transit në Zagreb kësaj radhe?! Kjo nxit pyetjen përse i përdor si transit aeroportet, ta zëmë, të Stambollit kur fluturon për në shtëpinë e saj në Melburn të Australisë?! Pra teoria e kontrollit të bagazheve dhe çantave të dorës i nënshtrohet një standardi tjetër. Por të gjitha këto mund t’iu shërbejnë atyre që kanë interesa për hetim e shantazhe brenda llojit, të karakterit politik siç janë përplasjet me vargjet e këngëtares artiste Dafina Zeqirit (të cilës i kërkoj ndjesë për parafrazim publik, edhe pse nuk ka reklamë të keqe, aq më tepër kur vargjet e këngës të interpretohen në konferenca shtypi të Presidentes a Ministres së Punëve të Jashtme, se zëri i një deputeti është i kufizuar), për t’i treguar vendin njëra-tjetrës apo intrigantit Kurti që arriti t’iu tregojë vendin shumë figurave të politikës kosovare, por edhe t’i përçajë këto ambiciozet, që arritën t’i mposhtin e përçajnë lidershipin e partisë që dikur i tërhoqën zvarrë nëpër korridore, e këto dyja e mbronin njëra-tjetrën. Sidoqoftë, unë pres që krahas kërkimfaljes së MPJ/RMV dhe qeverisë së tyre, është i pamjaftueshëm pa një raport të detajuar dhe një hetim ndërshtetëror ose ndërkombëtar. Nëse nuk ka një veprim të tillë, atëherë RMV, pas arrestimit të qytetarëve të Kosovës me kërkesa të Serbisë, vetëm pse ishin luftëtarë lirie në UÇK, dhe ekseseve të përsëritura me të parën e vendit tonë, e sipas pretendimit të presidencës edhe të shumë qeveritarëve, në mos në konflikt, duhet ndërprerë marrëdhëniet ndërshtetërore diplomatike si masë e parë./www.QendraPress.com/