Më datë 21 korrik 2025 në Gjakovë në ora 8.15 dy punëtorë të ndërtimtarisë humbën jetën pasi ranë nga një objekt ndërtimi nga kati i dytë. Punëtorët e ndjerë ishin të moshës 50 vjeçare. KMDLNj shprehë ngushëllime familjarëve të viktimave dhe kërkon hetime të shpejta për rrethanat në të cilën humbën jetën nevojtarë që për të siguruar të ardhura për të mbajtur familjen , detyrohen të punojnë në kushte ekstremisht të pasigurta siç janë temperaturat e larta , orari i stërzgjatur , mungesa e pajisjeve mbrojtëse , mosrespektimi i moshës apo edhe i gjendjes shëndetësore. Vdekjet e fundit në vendin e punës kanë marrë përmasa shqetësuese ndërkaq që qeveria po mjaftohet me një reagim thuaja teknik , pa bërë asnjë veprim që këto raste të parandalohen. Qeveria e Kosovës po shpërfillë sindikatat e pavarura , qoftë duke mos i përkrahur materialisht , qoftë duke injoruar rekomandimet që , po të zbatoheshin , do të ndikonin në parandalimin e këtyre rasteve. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për ta forcuar punën e Inspektoriatit të Punës që ka mandat ligjor të monitorojë kushtet e punës të punëtorëve , madje e ka penguar punën duke shkarkuar drejtues në baza politike dhe duje emëruar drejtues tjerë , gjithashtu në baza partiake dhe politike. Në rrethana të vështirësuara për të punuar në kushte të sigurta dhe ku jeta iu rrezikohet çdo ditë , të pambrojtur nga shteti , punëtorëve nuk iu mbetet asgjë tjetër përveç që përmes protestave të kërkojnë kushte më të mira për punë. Është joserioze dhe pa asnjë sens që pas gjitha këto jetëra të humbura , të merremi vetëm me ndonjë reagim duke mos mbështetur punëtorët që punojnë në rrethana shumë të rënda. KMDLNj – ë do të përkrahë çdo protestë të punëtorëve që kërkojnë kushte më të mira të punës , si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut . Me mosveprim të qeverisë , punëtorëve kosovarë po iu rrezikohet e drejta kryesore e njeriut , e drejta për jetë . 21 korrik 2025 Prishtinë Shërbimi për Informim