Reagim kundër aktit “isisian” ndaj vlerave të lirisë në Gjakovë! –Nga Hisen BERISHA, Deputet.

                 Në të gjitha trevat e Kosovës ka vende e ngjarje që meritojnë të ruhen në memorien historike të kombit tonë. Kjo është kulturë e popujve të civilizuar kudo nëpër botë. Mos evidentimi dhe mos shënjimi i tyre, na ka kushtuar me harresën e historisë dhe për pasoj përsëritjen e saj. Jo vetëm historisë politike por edhe asaj fetare. Gjakova si çdo trevë tjetër e Kosovës ruan gjurmët e shumë krimeve monstruoze që ka kryer regjimi serb. Guri përkujtimor i Nanë Pashkes, që dogji vetën pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve mortore të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë, është rrënuar e hequr! Ai gur, është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai gur, simbolizon dhimbjen dhe vuajtjen e një nëne, njëkohësisht, vuajtjen e shumë nënave që dhanë më të dashurit e tyre për lirinë e vendit. Ai gur, simbolizon vuajtjen e popullit tonë gjatë historisë së luftës për liri. Ishte simbol i plagëve shpirtërore të nenave tona. Vendit, i ndodhin këso veprash makabre, vetëm kur ka një qeveri të brumosur me logjikë “isisësh” politik, përfaqësues të forcave të errësirës dhe dekadencës, që nuk durojnë madhështinë e vlerave kombëtare, vepër e iluminizmit kombëtar, ndaj të cilave mbajnë vlerësim armiqësor, si shenjë e deficitit patriotik, i të mos qënurit pjesë e asaj lavdie. Ashtu siç është punuar shumë që të krijohet një disponim anti vlerave të luftës së UÇK-së , me të njëjtën frymë tani po provohet të nxitet një reagim kundër monumenteve të lirisë. Kjo logjikë “isisiane” do të na përballë një ditë me sulme edhe ndaj “Memorialëve të Dëshmorëve”! Prandaj duhet që urgjent, krahas Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës, me normë ligjore të mbrohet çdo monument, çdo obelisk çdo vlerë historike e kombit tonë e re apo e së kaluarës. Pronari i pronës, në rastin makabër të Gjakovës, duhet urgjentisht të ndalohet për vepër penale. Kurse qeveria, të bej shpronësimin e asaj toke dhe të kthehet në vend, guri simbol i vuajtjeve tona. Kjo çka po ndodh është në frymën dhe mendësinë e kësaj qeverie, e demonstruar përmes eksponentëve amoral, të pandërgjegjshëm dhe me identitet të dyshimtë gjenetik, e cila dëshiron që lufta e fundit dhe UÇK, të harrohet. Ky është dhe misioni i kësaj kaste politike që besoj të jetë e keqja e fundit që i ndodhi kombit tonë, rë cilët përmes komunikimit publik e medial, po përpiqen të bëj të pranueshme fyerjen dhe denigrimin e vlerës më sublime të kombit tonë luftës për liri dhe UÇK. Ketë e kanë filluar me kategoritë e dala nga lufta si, Veteranët duke i trajtuar mizorisht me ndihma sociale simbolike dhe privuar nga e drejta të punojnë; familjet e dëshmorëve duke i trajtuar me çmimore pagesash për personat e vrarë në familje, si numra e jo si vlera njerëzore që u flijuan për liri; Invalidët e luftës, duke mos ju ofruar as mbështetjen për proteza e rehabilitim, duke i lënë ta pa integruar as në punësime konform shkallës së invaliditetit, duke i krahasuar e barazua invaliditetin të tyre të fituar në rrethanë lufte, me invaliditetin e personave që invaliditeti u njihet me ligj nga lindja apo rrethana civile. Kjo strategji e rrezikshme “isisiane” duhet ndalur me çdo formë, mjet e veprim ligjorë.