Reagim nga Shoqata e transportuesve të udhëtarëve “Kosova e Lirë” – Prizren

Të nderuar,

                               Shoqata e transportuesve rrugorë për udhëtarë “Kosova e Lirë” reagon ndaj raportimit të kallxo.com me titull “Subvencionet e dyshimta në Prizren”.

Raportimi ishte në shumë dimensione i pasaktë dhe me keqardhje konsiderojmë se i njëjti ishte edhe tendencioz. Kjo për shkak se gazetari nuk publikoi me saktësi dhe korrektësi përgjigjet që ne i kemi dhënë duke synuar të paraqesë negativisht para opinionit publik vullnetin e 26 operatorëve të cilët kanë dashur të jenë solidarë për të mos lënë asnjë kolegë pa u pëkrahur përtej listës përfituese.

Shoqata i ka sqaruar gazetarit se vendimi për të rritur numrin e përfituesve nga subvencioni i komunës i cili parashihte të përkrahen vetëm 26 operatorë, ka ardhur pas reagimit të kompanive të transportit të cilat ishin më shumë se 26 operatorë. Ne si shoqatë në njërën nga disa mbledhjet e mbajtura me operatorët e transportit rrugor për udhëtarë kemi vendosur që edhe këto kompani të përfitojnë nga ky subvencion. E gjithë kjo është bërë për të lehtësuar sado pak ndikimin që kishte pasur Pandemia COVID-19 tek kompanitë e transportit.

Krejt kjo ishte bërë me një deklaratë nën betim nga anëtarët e shoqatës së transportuesve të cilët janë pajtuar që të e ndajnë një pjesë të subvencionit për kolegët e tyre jashtë listës prej 26 operatorëve. Kjo deklaratë noteriale ka qenë akt solidarë ndaj kolegëve të mbetur jashtë listës primare dhe nuk ka pasur aspak rol obligativ dhe detyrues por ka qenë në mirëbesim për të mos e lënë asnjë kolegë pa përkrahje.

Kanë qenë pikërisht këta tre operatorë të cilët janë ankuar në kallxo.com të cilët nuk kanë dashur të jenë solidarë dhe ti përkrahin edhe kolegët e tjerë transportues, prandaj ata nga lista primare janë zhvendosur në listën e pritjes nga ana e shoqatës, madje kur ata janë ftuar të i marrin mjetet financiare të cilat kolegët e tyre nga lista primare i kanë ndarë për ta përkrahur listen e pritjes, pra këta operatorë, të njejtit nuk kanë pranuar ti marrin mjetet nga ana e shoqatës e cila është detyruar që mjetet të cilat i ka mbledhur për ata të i kthej mbrapa.

Për të qenë tërësisht transparent ndaj qytetarëve të Prizrenit mirëpo edhe publikut ne po e publikojmë Deklaratën tonë të noterizuar të datës 29.10.2020 dhe listën primare të 26 operatorëve të cilët janë pajtuar ti përkrahin kolegët e tyre në listën e pritjes.

Përderisa ne si shoqatë ndajmë respektin më të madh për gazetarinë hulumtuese dhe Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), konsiderojmë se ky raportim nuk paraqet aspak situatën reale për qka edhe jemi detyruar të reagojmë kundër këtij raportimi.

Me respekt,

Shoqata e transportuesve të udhëtarëve “Kosova e Lirë” – Prizren.