Refleksion mbi jetën dhe vdekjen” (pjesën e tretë) të autorit Murat V. Gashi

Shtëpia botuese “Fidani” në Prizren ka nxjerrë nga botimi librin “Ditari i kohës nën pushtim – Refleksion mbi jetën dhe vdekjen” (pjesën e tretë) të autorit Murat V. Gashi, një vepër me peshë të veçantë letrare dhe dëshmuese, që pasuron fondin e prozës bashkëkohore shqipe me një rrëfim të ndërtuar mbi përvojën jetësore.

Libri përbën një kronikë letrare dhe njerëzore të një kohe të rëndë historike, ku jeta dhe vdekja ecin paralelisht në përditshmërinë e individit dhe familjes shqiptare. Përmes një gjuhe të qartë, emocionale dhe meditative, autori pasqyron realitetin e Kosovës nën okupim, varfërinë, pasigurinë dhe frikën e përhershme, por njëkohësisht edhe qëndresën morale dhe shpirtërore të njeriut të zakonshëm.

Në qendër të veprës qëndron familja shqiptare dhe njeriu i thjeshtë, prindërit, fëmijët, arsimtarët dhe qytetarët, të cilët përballen me mungesa të mëdha materiale dhe rrezik të vazhdueshëm, pa humbur besimin në jetë, në dije dhe në liri. Këto figura ndërtohen me ndjeshmëri dhe realizëm, duke i dhënë rrëfimit forcë emocionale dhe autenticitet.

Urime autorit për këtë botim të rëndësishëm dhe lexuesve lexim të këndshëm.