REFLEKTIME MBI LIBRIN “UTOPIA REALE” TË PROF. IBRAHIM BERISHËS -NGA;PROF.DR.MILAZIM KRASNIQI

0

                   Tekstet e përfshira në librin “Utopia reale” janë shkruar në një kohë tjetër, por janë dedikuar edhe për kohën tonë, për këtë lexues e për këtë realitet, sepse ne edhe sot jetojmë me pasojat e atyre ngjarjeve, prej së cilave nuk kemi nxjerrë mësimet e duhura. Me tekstet e kësaj natyre, pra që kanë afat më të gjatë të qëndrueshmërisë, ndodhë një paradoks: në kohën e vet nuk kuptohen, ndërsa në kohët që vijnë, injorohen, ashtu që mësimi prej tyre nuk nxirret dhe vlerësimi për to më të shumtën nuk është real. Duket se nuk ka mundësi të jetë ndryshe, sepse keqkkuptimi dhe moskuptimi janë oponencë e përhershme e dijes.

Tekstet e sistemuara në këtë vëllim esesh e analizash, që tematizojnë ngjarje të ndodhura në Kosovë e për Kosovën, në harkun kohor të viteve 1994-1999, janë produkt i dijes solide të autorit për ato ngjarje, i qëndrimit intelektual, qytetar e kombëtar që bëhet vlerësues i tyre. Pra, nuk është fjala për regjistrim ngjarjesh, për mbarështrim kronologjik të tyre, po për interpretimin e tyre, për zbulimin e kauzalitetit të brendshëm dhe për efektet që autori parashikon se do të prodhojnë. Për shkak të këtij niveli të lartë të observimt intelektual, këto tekste nuk janë kuptuar e as mirëkuptuar në kohën kur janë botuar, por besoj se as sot nuk do t’i bëjnë njerëzit të reflektojnë, në mënyrë që të mund të korrigjohet një mënyrë veprimi, e cila edhe sot në shoqërinë tonë të lirë dhe në shtetin tonë të pavarur, prodhon dështim, zhgënjim e paralizë. Bile, sot më pak se a në kohën kur janë botuar, sepse strukturimi i realitetit të sotëm politik, social e nacional, është bërë edhe mbi defektet e viteve nëntëdhjetë, që janë identifikuar në këto tekste, por që sot askush nuk ka vullnet t’i korrigjojë, sepse do të shembeshin shumë mite që janë sajuar mbi to. Prandaj, nëse në kohën kur janë botuar kanë qenë alarme, tash më duken më shumë lamente. Gjithsesi, ia vlen që edhe si lamente të riaktualizohen, sepse ashtu janë në dispozicion të atyre që duan së paku të dinë arsyet pse idealet dhe ëndrrat e tyre ndihen të tradhtuara dhe pse ata vetë janë të pikëlluar në realitetin, i cili do të duhej të nxiste besim, optimizëm dhe shpresë.

Në kontekst të kësaj që sapo u tha, vitet 1994-1999, janë vite të rëndësishme, në të cilat akterët kryesorë kanë zhvilluar aktivitetet e veta dhe prej të cilave është krijuar një raport forcash që determinon njëfarësoj edhe ngjarjet në ditët tona. Fjala vjen, në ato vite. Lidhja Demokratike e Kosovës, në pamundësi që ta shtyjë përpara projektin e shtetndërtimit, kapërthehet në rivalitete dhe konflikte të brendshme, në eliminime të intelektualëve dhe në mbylljen e saj në vete. Autori i paraqet me precizitet pasojat e taktikave eliminuese në kuvendet e LDK-së, që për rezultat kanë dobësimin e saj, delegjitimimin e udhëheqjes dhe largimin nga identiteti i saj i mirëfilltë politik e nacional. Po qe se do të lexoheshin me kujdes observimet e Ibrahim Berishës lidhur me instalimin e asaj mendësie me elemente staliniste, ndoshta do të mund të evitoheshin edhe zhvillimet e pakëndshme të pasluftës në atë parti, të cilat e kanë dobësuar dhe e kanë shfytyruar jashtë mase. Por, ata që do të duhej t’i lexonin me vëmendje e të punonin për eliminimin e defektit të identifikuar, ose i kanë injoruar ose i kanë lexuar mesazhet gabimisht. Në fakt, tekstet që tematizojnë zhvillimet në LDK, besoj se ende janë aktuale dhe ende mund të mësohet prej tyre, për arsye se autori është jo vetëm një analist intelegjent dhe i rryer, një intelektual kritik konsekuent, po para këtyre, ai është njëri nga ideatorët e themelimt të LDK-së, njëri nga farkuesit kryesorë të politikave të saj strategjike të viteve kur ajo ishte një lëvizje e fuqishme me parashenjë të qartë demokratike dhe njohësi më autentikë i historisë së saj. Prandaj ata që duan të dinë më shumë për LDK-në, politikat e saj dhe metamorfozat e brendshme të saj, këto tekste duhet t’i lexojnë me shumë vëmendje edhe sot. Kontekstet e ngjarjeve ndryshojnë, por disa esenca mbeten të përhershme, prandaj njohja e atyre esencave ndihmon të kuptohen edhe kontekstet e reja.

Pothuajse i njëjti vlerësim mund të jipet edhe për tekstet që trajtojnë vuajtjen e njerëzve të thjeshtë, veçmas të Drenicës së martirizuar. Autori i ka parë me sytë e vet disa episode të asaj tragjedie dhe i ka raportuar e interpretuar në mënyrë mjaft besnike. Triumfalizmi i mëvonshëm, që u patentua nga ata që duket se nuk kanë vuajtur vetë, e ka fshehur edhe këtë dimension të hidhur të jetës shqiptare në vitet 1998-1999. Por, vëmendja herët e vonë do të kthehet edhe andej, së paku si një introspeksion human lidhur me atë vuajtje të thellë njerëzore, e cila nuk ka marrë satisfaksionin e vet as në liri.

Nga ana tjetër, në këtë libër lexuesi do të freskojë njohuritë e veta edhe mbi lëvizjet politike, ideologjike e fetare në Serbi, në funksion të nacionalizmit dhe fashizmit, përfshirë edhe opozitën e asaj kohe, e cila bënte garë me Millosheviqin në shovinizmin antishqiptar. Edhe nga këto tekste lexuesi i vëmendshëm, mund të nxjerrë disa nga esencat e qëndrimit serb që edhe në kontekstet e sotme kanë mbetur njësoj të rrezikshme e njësoj antihumane. Ata që duan të harrojnë këto fakte, do të ishin të lumtur sikur këto tekste të mos ishin ribotuar. Në këtë aspekt, edhe politika ndërkombëtare ndaj Kosovës, në vitet 1994-199 është e denoncuar me fakte dhe me interptretimin logjik të kalkulimeve e të veprimeve. Ka përsëritshmëri, prandaj edhe ka çka të mësohet edhe sot.

Shumica e teksteve të këtij vëllimi janë pasuruar me shifra dhe fakte të shumta, duke u dhënë teksteve edhe një pamje akademike. Edhe pa i pasuruar tekstet, këto shënime të karakterit enciklopedik, do të mund të bënin një libër më vete, madje shumë të dobishëm për ata që eventualisht mirren me studimin e asaj periudhe. Kjo punë është dëshmi e përgatitjes së lartë akademike por edhe më shumë e fromimit intelektual, të njeriut që beson se shkrimi duhet të jetë i argumentuar me fakte, me dokumente.

Duke e pasur para sysh nivelin e sotëm të eseistikës dhe publicistikës në vendin tonë dhe ndër shqiptarë në përgjithësi, pohoj me siguri të plotë se Ibrahim Berisha është autori më konsekuent dhe më kompetent që shkruan tash njëzet vjet me të njëjtat koncepte, me të njëjtat bindje dhe me të njëjtën përgjegjësi intelektuale. Kjo është arsyeja pse ka mbijetuar si autor edhe në vitet e tmershme 1989-1999, po edhe në xhunglën e antivlerave të pasluftës. Një detaj është ilustrues: kur ndonjë tekst i ndonjë autori modest është i shkruar më me ndiesi, me një koncept të qartë, ka që hamendësojnë mos ia ka redaktuar Ibrahim Berisha, paçka se ai atë autor ose nuk e njeh fare ose nuk ka komunikim me të. Pra, ka arritur një nivel shkrimi, i cili jo vetëm se e identifikon si autor i veçantë, por është bërë si standard për të vlerësuar edhe për të tjerët.

Ibrahim Berisha ishte publicist elitar e jo populist edhe në vitet nëntëdhjetë, kur tekstet e shumicës së autorëve të tjerë, ku e përfshij edhe veten, shumë herë merrnin ngjyrime të forta populiste. Besoj se për këtë arsye ai edhe është kuptuar më pak, sepse elitarët gjithmonë janë pakicë. Besoj se edhe tash do të kuptohet pak, sepse elitat edhe sot janë jo vetëm pakicë, po edhe tepër të hutuara.

Sidoqoftë, një gjë mbetet e sigurt: pa e njohur këtë autor dhe trashëgiminë kritike intelektuale të viteve nëntëdhjetë, kjo shoqëri nuk do të mund të çlirohet nga kthetrat e triumfalizmit me ngjyrim të fortë antiintelektual, i cili po ia zë frymën.

Besoj se shumica e atyre që do t’i lexojnë tash këto tekste, do të dëshpërohen, për një arsye të vetme: që nuk i kanë lexuar me kohë. Megjithatë, për leximin e teksteve domethënëse e me afat të gjatë qëndrueshmërie, gjithmonë është koha e duhur. Prandaj mesazhi im është: lexojeni tash, të paktën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *