Refuzohen mbi 2 mijë zarfe me fletëvotime nga diaspora

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, gjatë një konference ka treguar se procesit të vlerësimit i janë nënshtruar 28 mijë e 99 pako nga votimi jashtë Kosovës.
Prej tyre 2 mijë e 57 pako janë refuzuar.
“Ndërkaq lidhur me aspektet tjera të procesit zgjedhor ju njoftojmë se po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt kur ka filluar vlerësimi i tyre dhe deri më tani këtij procesi i janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13, ndërkaq janë refuzuar 2 mijë e 57.”
Arsyeja e refuzimit të tyre, Elezi thotë se është që “ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë”.
Elezi shtoi se gjatë votimit përmes postës KQZ ka pranuar 69 mijë pako me fletëvotime dhe në fund do të dihet numri i pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.