Regjimi i Mashtrimeve: Si Qeveria Kurti Po Shkel Dinjitetin dhe Sovranitetin e Kosovës “Ana që s’e pamë: Shkruan;Hisen BERISHA,Deputetet i Parlamentit të Kosovës.

Personat që laheshin në Ujman, ruheshin nga njësia speciale mbi urë”. Ky titull është shumë poshtërues për ne që e duam shtetin funksional me integritet politik e territorial të pacenueshëm, bile do të doja që poshtë urës mp mirë të kishte pjesëtarë të policisë tek freskoheshin…! Por ky titull i shkrimit që bëri të ditur lajmin duket shumë i përshtatshëm për qeveritarët e sotëm që çdo gjë e kanë vetëm improvizim e mirazh, për të mashtruar popullin ashtu siç i mashtruan për votë. Kjo është pikërisht gjuha me të cilën duhet komunikuar me ta. As lëvizja lirshëm apo shëtitja e porositur nëpër pjesën veriore dhe as larja në liqenin e Ujmanit, nuk janë tregues të shtrirjes së sovranitetit, ngase sovraniteti do të thotë funksionimi i institucioneve të shtetit në atë pjesë të territorit, mbledhja e taksave, tatimeve, etj. Po ashtu, zbatimi i ligjeve pozitive nuk do të thotë sundim i ligjit, aq më tepër kur në territor mbahen Forcat e Armatosura, dhe përballemi me refuzimin e komunitetit shumicë të atyre komunave (kategori kushtetuese) që të integrohen politikisht. Pra, skenare të tilla mashtruese aplikojnë vetëm regjimet e majta totalitare dhe komuniste. Një situatë të tillë mund ta shohim vetëm në Korenë e Kim Jong-un, i cili me këto metoda ua ka krijuar bindjen qytetarëve koreanë se e kanë fituar edhe Kampionatin Botëror. Po ashtu, përmes një rrëfimi personal dua të dëshmoj një metodologji të ngjashme diktature nga Shqipëria komuniste. Vitet 1989/1990, ishte periudha kur kishte lëvizje më të shpeshta ilegale në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, atëbotë nën Serbi e Jugosllavi. Befas na erdhi një shqiptar nga Shqipëria/Tropoja. U prezantua, tha jam Agim Musa Dushaj, djali i Musa Haxhi Brahimit, pra nga familja antikomuniste e kulake e Hoxhë Dushajt. Pra, ishte daja nga Tropoja. U gëzuam pa masë. Na dukej se krejt Shqipëria ishte në familjen tonë. U emocionua Baba, sepse që nga 1948 kur ishte mbyllur kufiri, po shihte dikë nga dajtë. Por, pse e rrëfeva këtë storie të shkurtër? Daja Agim kishte një trastë. Në të kishte bukë. Bukë e zezë, nëpër të kishte kashta gruri, pra ishte korrur e bluar keq. Kishte një erë dhe shije të thartë. Kishte edhe bukë misri. Por, daja me keqardhje na tha: këtu kam bukë. Atje e dimë që s’keni bukë mjaftueshëm dhe solla këtë trastë aq sa kishim për ju! Kuptohet, daja Agim e pa se ne ishim e kundërta e asaj çfarë ata ishin informuar nga regjimi atje për mjerimin social-ekonomik në Kosovë e Jugosllavi. Veç për okupimin serbo-jugosllav nuk ju kishin folur, ani se dajtë e dinin se jo rastësisht ishin internuar nga regjimi komunist. Pra, regjimi korean, ai i Shqipërisë dhe ky i Albin Kurtit ngjajnë si tre pika uji po t’i marrim nga liqeni i Ujmanit. Të dashur qytetarë të vendit tim. Shumë do të dëshiroja dhe kemi sakrifikuar që ta kemi një Kosovë shumë më të mirë nga çfarë po mundohet të na e servojë e improvizuar kjo kastë mashtruesish. Por, kjo me Ujmanin, me shëtitjet nëpër territor të Kosovës, e shumë defilime të tjera të koordinuara me eksponentë serbë që kanë kontrollin kriminal nëpër vendbanime të caktuara, apo duke vënë në veprim kapacitetet e NJOS-it të Policisë për t’iu mundësuar mashtruesve politikë këto spektakle si të Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, Ministrit të Punëve të Brendshme e shumë deputetëve të mazhorancës nga ajo trevë, është fyerja më e rëndë që po i bëhet inteligjencës qytetare dhe vetë popullit në përgjithësi. Si popull me dinjitet (nëse ka mbetur ndopak nga poshtërimet ndër vite) që kemi sakrifikuar shumë në rrugën e gjatë e të rëndë me shumë dhimbje, duhet t’i ndalim këta mashtrues kuislingë që me metoda komuniste po përpiqen të na bindin me të vërtetën e tyre, pasojë e simptomit “psychologia fantastica”./www.QendraPress.com/