REMZI ADEMAJ – KUR RËNIA I JEPË KUPTIM JETËS -Shkruan:- Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Më 15 gusht 1998 në fshatin Nashec ra në një pritë Remzi Ademaj – Komandant Petrit Kodra për të jetësuar idealet e trashëguara brez pas brezi për çlirim dhe bashkim kombëtar të të gjithë shqiptarëve , pavarësisht ku jetonin . Remzi Ademaj nuk e kishte fizikun e një vigani por e kishte vullnetin dhe vendosmërinë e një kolosi . Nuk kishte pregatitje profesionale ushtarake por e kishte të përfunduar Akademinë për frymëzim kombëtar të vijuar nëpër odat shqiptare ku flitej për ata që sakrifikuan çdo gjë që patën për ta mbajtur të ndezur zjarrin e luftës për liri dhe bashkim kombëtar . Pikënisja dhe pikësynimi ishte ky , amshimi dhe përjetësia u fitua në Nashec . Gradat më të larta politike dhe morale i mori në llogoret e ish – Jugosllavisë në Zagreb , Lepogllavë dhe Stara Gradishkë te Frymëzuesi dhe Abetarja Shqiptare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar , i Përjetshmi Bacë Adem Demaçi. Kush do të besonte se brenda një personi me një pamje sikur Migjeni , sidomos nga shëndeti , në kohën kur atdheu kishte nevojë për të do të shpërthejë si një vullkan , në dukje i fjetur ! Remzi Ademaj ishte gurbetçar i ndjekur nga regjimi jugosllav dhe domosdoshmëria për të luftuar për mbijetesë ekonomike personale , familjare dhe kombëtare. U arrestua në përpjekje për të larguar anëtarë të familjes Gërvalla që jetonin në Slloveni , për në Gjermani. Në burg ishte i kujdesshëm dhe i urtë me shokë , i pakompromis dhe i panënshtruar me autoritetet e burgut. Asnjëherë nuk ankohej për asgjë sepse kishte ndarë mendjen për fatin e tij . Pazgjidhshëm e kishte lidhur ne fatin e popullit , nuk kushte asnjë mëdyshje për këtë. E donte shumë muzikën e lehtë shqiptare të Shqipërisë së Mesme dhe ate të Jugut. Ishte një bashkëdyzim i mendimeve politike dhe veprimeve ushtarake të udhëheqësit më të kompletuar shqiptar , Hasan Prishtinës , intelektualizmit të Luigj Gurakuqit dhe altruizmit të Fan Stilian Nolit. Shpeshherë , për vete dhe shokët ia jepte këngës që të jepte shpirt dhe kurajo duke na zhvendosur nga llogoret e ish Jugosllavisë në Shqipërinë që e idealizonim ashtu si dëshironim të ishte . Remzi Ademaj hyri në burg me shtyllë kurrizore kombëtare të palakuar , nga burgu doli me një shtyllë edhe më të fortë kombëtare dhe politike. Rrugëtimi i tij politik dhe kombëtar ishte njëdrejtimësh , pa mundësi devijimi. Synimi ishte një dhe vetëm një , çlirimi , liria dhe bashkimi kombëtar. U angazhua në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut si udhëheqës i Nënkëshillit në Zhur sikur që e bënë edhe 95 përqind të anëtarëve në mbarë Kosovën e që iu bashkuan Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës . Njeriu mund të bëjë kompromis me çdo gjë , me lirinë asnjëherë ! Çdo gjë ka një çmim që mund ta paguash me mjete materiale , liria nuk ka çmim të cilin nuk duhet ta paguajmë , edhe me jetë! Jeta nuk ka kuptim dhe është e paplotësuar pa liri , liria i jepë kuptim dhe përmbajtje jetës. Kur jeta , në mungesë të lirisë bëhet e pajetueshme , nuk shtrohet pyetja e çmimit që duhet paguar ! Këtë më së miri e kuptoi Remzi Ademaj dhe heronjtë që ranë në altarin e lirisë duke e plotësuar dhe begatuar Panteonin ku prehen ata që krijuan vepra , u flijuan për vepra , njerëzore , kombëtare dhe politike . Ata i kryen detyrat kombëtare dhe të Atdheut duke e bërë dhe shkruar historinë , neve na mbetet ta lexojmë atë histori nëse duam ta ruajmë të drejtën t’i nderojmë dhe të përkulemi para atyre që i kishim shokë , miq , bashkëmendimtarë , bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë që kaluan në përjetësi ! Remzi Ademaj – Komandant Petrit Kodra e dha ate që e kërkonte Kombi dhe Atdheu , jetën e mbidheshme për amshimin qiellor dhe hyjnor ! Po ne , ku jemi tani ?! Larg asaj që e kemi synuar , qoftë edhe si ëndërr ! 15 gusht 2025 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA/QendraPress