Remzi Shala dënohet me 9 vjet e 6 muaj
Gjykata Themelore në Prizren ka shpllur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, duke e dënuar me 9 vjet e 6 muaj burgim efektiv, lidhur me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile.Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe” akuzohej se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë H.P nga shtëpia e tij dhe pas disa ditësh trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. Aktgjykimi u shpall të martën, nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas aktgjykimit, i akuzuari obligohet që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.Palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg.
Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Natal Bullakaj.Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.Shala akuzohej nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën H.P.Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, A.P, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.