Rendi i ri botëror -Jetojmë kohë të trishta.- Shkruan:Profesoresha Prenvera Prela

0

               Jetojmë kohë të trishta e ky trishtim nuk e ngop shpirtin e njeriut, por e zbraz duke prodhuar boshllëk. Kjo atmosferë që kërkon të na rrëmbejë fjalën, mendimet, qasjet, dashuritë, gjithçka njerëzore duke e kthyer në rrëmujë pa zgjidhje, bën që të mos e shohim të ardhmen ashtu siç do të donim dhe ëndërronim të gjithë, pa re dhe mjegull por të qartë e plot dritë. Dritën na e kanë zbehur, të ardhmen po na e rrëmbejnë si të ishte një libër të cilit i ka ikur koha. Çfarë mësuam nuk na paska më vlerë, çfarë jetuam u dashka harruar, çfarë ëndërruam u dashka tjetërsuar, sepse një kohë e re po na serviret për të jetuar. Një lloj Sindromi, po na shfaqet me hipokrizinë e tij për dashurinë. Flet me gjuhë misterioze, kërkon ta ndjekësh pa e kundërshtuar, kërkon t’i bindesh pa e njohur, kërkon ta duash pa e dashur, kërkon ta respektosh pa e njohur në vlerë, dhe e gjithë kjo lojë hapa dollapa ka përfshirë mbarë njerëzimin. Qeveritë janë ulur për bisedime me këtë Sindrom, duke iu bindur aftësisë së tij për të firmosur marrëveshje bashkëpunimi, nga ku do të vilen rezultate në emër të “dashurisë” për njerëzimin. Njerëzimi ka kohë që fjalën dashuri e ka mbyllur në kllapa, e si pasojë sot i duhet të mësojë çdo të thotë dashuri, çdo të thotë të mëkohesh prej saj, çdo të thotë të luftosh për të e ta mbrosh nga kthetra dhe thonj të rrezikshëm. Dashuria është liri. Liria e ka emrin dashuri. Në emër të dashurisë na është dhuruar liria, dhe në emër të lirisë duam dhe jetojmë në ekzistencë. Këtë ekzistencë duan ta na e shuajnë, duan ta shkulin me rrënjë në emër të një tjetër “dashurie” hipokrite, manipulatore, të metë e të çalë, fallsiteti i së cilës tejkalon vlerat e moralit, normave dhe principeve njerëzore. Ky imoralitet kërkon të sundojë në emër të fallsitetit të dashurisë. Por njerëzimi ka parë e dëgjuar shumë deri tani. Vepra e këtij Sindromi katapultohet në kohë relativisht të ndërmjetme me beteja që mbjellin përçarje me pasojë vdekjeje. Jemi në prag të kapërcimit të fateve të njeriut. Koha është e rënduar. Gjëmimet po afrojnë. Dhuratat e Sindromit për njeriun janë shpikjet që kërkon të na i servirë si ëmbëlsira, sheqeri i të cilave i bëka mirë gjakut tonë. Ky “sheqer”, është zeheri i mbrapështisë së pjellës Sindrom që kërkon të shfarrosë atë që Zoti ka krijuar. Njeriu lufton për të jetuar, por përbindëshi sulmon për të kafshuar. Kafshata e tij është shpirti i njeriut, por njeriu nuk është kafshatë që ngop përbindësha. Gjuha e gjatë e mendjes së shkurtër pritet kur e ka tejkaluar kufirin e masës. Të zgjedhurit e Zotit nuk qëndrojnë në terr. Alarmi është dëgjuar. Sirenat e tij sa vijnë e bëhen më të fuqishme. Njerëzimi po zgjohet e përbindëshi po friksohet. Përplasja nuk vonon të vijë. Simboli i së keqes është kafshimi për të depërtuar helmin e mbrapështisë së vet. Vigjilenca e njeriut matet me mençurinë e tij. Kjo kohë nxjerr në dritë të vërtetat ku i drejti dallon nga i humburi, ku mençuria dallon për nga urtia, ku tradhtia dallon nga dashuria, ku fitorja dallon nga humbja. Qëndroni syzgjuar e mendjemprehtë, e do të shihni, sa bollëk prodhon Zoti ynë si në kohë të mirë ashtu edhe në kohë të vështirë!/qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *