Reportazh nga Velipoja: Fusha e Madhe që zien nga konfliktet e dukshme e të padukshme!

0

Ishim këtë fundjavë në Velipojë, një ditë e një natë, për t’u parë me disa miq të ardhur për pushime nga Italia. Jemi ç’jemi, thamë, po i mbajmë ca shënime që të shkruajmë diçka për Velipojën, si me thënë pozitive, pasi ka do kohë që ky plazh po lajmërohet në publik vetëm për ngjarjet e tij të rënda.Pa hyrë në Shkodër, makina merr kthesën për në Velipojë, qarkullimi i automjeteve normal, me pak trafik te Harku i Bërdicës, nën monitorimin e kujdesshëm të Policisë dhe mbas 27 kilometrash rrugë nis e shpërfaqet qyteti llamburitës i plazhit, që shtrihet në 14 kilometrat e vijës bregdetare, nga bregu i Bunës në Vilun. Por nuk duam të mbetemi te mbresat rastësore, ndaj vemi në qendër, ku mendojmë se duhet të ketë një zyrë informacioni, që t’i orientojë pushuesit për hotelet, rojet e plazhit, koncertet etj.Dhe, ishte një kioskë e mjerë që kishte shërbyer për këtë punë, por këtë vit, siç na tha një djalosh që merrej me këmbimin e parave aty pranë, nuk e kishte çelur derën. Dukej më shumë një ish-zyrë shoqatash, që pas mbarimit të ndonjë projekti, e kishin lënë ashtu në mëshirë të fatit, ku nga dritaret dalloheshin disa fletëpalosje të mbuluara nga pluhuri.U sollëm andej-këndej qendrës së Velipojës, se mos kishte ndonjë zyrë bashkiake apo të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për të marrë informacion për turizmin, por nuk hasëm askund ndonjë të tillë. Pyetëm edhe te recepsioni i një hoteli, nëse kishin dijeni për ndonjë zyrë të informimit publik, por punonjësja ngriti supet. Shkurt, asgjë zyrtare nuk mundëm të mësonim për Velipojën, sa ishte numri i pushuesve në gusht e sa kishte qenë në korrik? Nga ishin e nga s’ishin pushuesit? A kishte rritje apo rënie të numrit të tyre krahasuar më dy apo tre vite më parë? Le pastaj të mund të bëje dhe ndonjë krahasim përmes shifrave, me plazhin më të afërt, atë të Shëngjinit, apo të Ulqinit.Natyrisht që njerëzit duan t’i dinë këto. Ata, për më tepër, do të donin që tashmë të kishte përfunduar rruga që do të lidhte këtë plazh me Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të Lezhës, Shëngjinin, Kune – Vainin, Talen etj. Ashtu siç ende nuk ka një pikë ndërkufitare me Malin e Zi për kalimin andej e këndej Bunës. Në mungesë të një ure mbi Bunë – vetëm të një ure – një turist i Velipojës, nëse dëshiron të pijë kafe në anën malazeze të këtij lumi dhe të vizitojë kishat e vjetra të asaj ane, duhet të bëjë të paktën 50 kilometra nga Shkodra në Muriqan, Ulqin, Shtoj. Dhe, thuhen aq shumë fjalë të mëdha qeveritarësh në Tiranë e Podgoricë për integrimin rajonal, evropian.Ndërsa endemi në kërkim të fakteve për reportazhin, befas në ekranet e mëdhenj të televizorëve, gjithkund lokaleve me muzikë, jepet lajmi se në Velipojë atë paradite (22 gusht) ishte mbytur një pushues rreth 59 vjeç nga Kosova. Nuk mund të mos trishtohesh nga një lajm i tillë me vdekje në Velipojë, kur vetëm para pak kohësh, në fund të qershorit, ka pasur katër të tilla “për një fjalë goje”, siç e përkufizon tragjedinë e shezlongjeve një i moshuar, duke shtuar me shqetësim njerëzor e qytetar: “Nuk bahet kjo punë kështu, dora fill e te pushka! E gjitha ka ndodh për mungesë të shtetit”.

Pushuesit shkojnë e vijnë, por Velipoja (Fusha e Madhe) zien përbrenda, nga konfliktet e dukshme e të padukshme, pasi nga zaptuesit e pronave publike shihet si një “parajsë” që nuk duhet humbur. “Në Velipojë punohet për njëzet vetë, as 30 për qind e popullatës nuk ka tapi të tokës së marrë me ligjin 7501, ndër të cilat dhe unë që po flas”, thotë një banor vendali. “Kur kam ardhë me banim këtu, kah 1980, ka pas qenë kënetë dhe ranishte, nuk ka pas tokë buke, toka ka qenë e krapit e jo e privatit, e tash i dalin pronarët?!…”.Dhe, ti thua, të dhëna ta tilla nuk do t’i gjejë kurrë në zyra, jo atë të informacionit për turistët, por as ato të bashkisë së Shkodrës apo qeverisë, pasi informaliteti nuk ka “dokumente”.Velipoja ka historinë e saj: kanë qenë vetëm 12 shtëpi në fillim, malësorësh, që uleshin nga bjeshkët për të dimëruar bagëtinë këtu, pastaj u shtuan me të shpërngulurit e Gomsiqes, kur po ndërtohej hidrocentrali i Vaut të Dejës. Janë vetëm disa mijë banorë të përhershëm, kurse në verë numri i “banorëve” shkon dhe 80 mijë. Ashtu si gjithë qytetet e tjera me plazhe, ka vetëm tre muaj punë, ndaj të gjithë nxitojnë të kapin fitimin, ku është e ku s’është, aq më tepër që vitin e kaluar ka qenë pandemia që i ka penguar. Nuk mund të thuash se nuk ka përmirësim të shërbimit në jo pak hotele, barkafe, restorante, por çmimet janë kudo si me “pesë yje”, të papërballueshme për shumicën e pushuesve.Të shërbehen të gjitha llojet e peshkut, gatuar nga kuzhinierët më të mirë të Shkodrës e gjer misrat e pjekur. Syri të rrok pamjet masive të çadrave gjithë ngjyra plot me pushues mbi rërën e pastër dhe ato rrugëzat prej dërrase që të mos digjen këmbët, si dhe në plazhet e të tjera të Adriatikut, shqiptare ose jo, por ja që ta prish imazhin bash në qendër të Velipojës një mbledhës me karrocë i bidonëve plastikë të ujit, hedhur në kazanët e mbetjeve urbane, që nesër, pasi t’i kenë shpëlarë me zorrën e ujit, do të na kthehen në treg të mbushur me vaj ulliri, raki dhe verë, çka nuk mund të ndodhë kurrsesi në një vend të qytetëruar.Edhe në detaje të “vogla” si ky i bidonëve të pistë, ti si qytetar kërkon shtetin si dalzotësin tënd, por jo. Te ne kushdo mund të bëjë çfarë të dojë e si të dojë. Pjesë e tregtisë së plazhit janë dhe suveniret artistike, që paraqesin kështjellën e Rozafës, Urën e Mesit etj. Një çift bashkëshortësh të moshuar, Ndoi nga Dukagjini dhe Filja nga Vermoshi, shesin në plazh punimet e tyre artizanale të traditës, lahuta, sharki e çifteli, si dhe veshje kombëtare: xhubleta, tirq, xhamadanë etj. Me nga një gotë raki rrushi përpara, na tregojnë disa lahuta të punuara me simbolika të ndryshme, që nga portreti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shqiponja, imazhi i Alpeve, lule të gdhendura etj., ku bie në sy sidomos një lahutë të vjetër, me dy krerë dhie, brirë për brirë, që janë duke u “ndeshur” mes tyre. “Nji lahutë e bëj për 25 ditë dhe kushton 40 mijë lekë të reja”, thotë ustai i tyre, i cili flet me admirim për kryemjeshtrin Kujtim Çërmelin, nga Gimajt e Shalës, me të cilin i punojnë së bashku veglat muzikore folklorike në Shkodër. Ato paraqesin interes si për shqiptarët e ardhur me pushime nga Kosova e trojet e tjera shqiptare, ashtu dhe për të huajt: polakë, gjermanë, boshnjakë, malazez etj. Filja, që ka marrë dhe një diplomë në një panair në Gjermani, nuk ka një mjedis, por i punon rrobat në shtëpinë e tyre me qira në lagjen “Rus”.Dymbëdhjetë kostume kombëtare të trevave të ndryshme i kanë porosi nga shqiptarët e Amerikës, për çka punon dhe vajza, Enduela, pasi mjeshtëritë artizane trashëgohen brez pas brezi nga malësorët. Rrobat e stilizuara hijshëm punohen me dorë, duan mjeshtri të hollë dhe kohë e durim, se një spik qëndisjeje, aq i thjeshtë në dukje, ka 12 fije peri. Një xhubletë e vjetër e kompletuar në Kelmend është shitur dhe dhjetë mijë euro, kurse këto te rejat deri në tre milionë lekë të vjetra, ku fitim është vetëm një e treta. Nuk arrin askush më të prodhojë xhubleta të mirëfillta si ato të hershmet, ndaj ka gjasë që ato të zhdukën duke u blerë nga të huajt, pasi muzetë tanë etnografikë mund të mos i kenë kaq para për t’i blerë. Por kjo do të ishte një temë më vete.Pas bisedës së këndshme me dy artizanët dashamirë, që i kanë zgjedhur zejet e tyre (burri – veglat muzikore e gruaja – rrobat kombëtare) si mjet jetese, ngrihemi për të folur me të tjerë njerëz. Ngado që vemi, në kokë na rri ajo shprehja, që kushedi sa herë e kemi dëgjuar: “Velipoja, me pas kush me e administrue si duhet, mban krejt Shkodrën…”. Ëh, me pas kush!? Shqipëria ka “Velipoja” pafund në det e në mal …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *