Rikthimi i Komandantëve: Fundi i Iluzioneve dhe Fillimi i Shtetit të Vërtetë;- Shkruan -Ruzhdi Gashi avokat.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk janë thjesht përballje politike. Janë ndarja e ujërave mes atyre që e sollën lirinë dhe atyre që e shfrytëzuan shtetin si plaçkë. Është momenti kur Republika e Kosovës vendos nëse do të vazhdojë të endet në duart e aventurierëve politikë, apo do t’i kthehet boshtit të saj të natyrshëm çlirimtar, atij boshti që e mbajti gjallë kombin në ditët më të errëta.

Rikthimi i forcave çlirimtare dhe komandantëve të UÇK-së në skenën kryesore politike nuk është nostalgji – është nevojë kombëtare. Sepse vetëm ata që kanë udhëhequr luftën e vërtetë e dinë se çfarë do të thotë shteti, liria dhe përgjegjësia. Vetëm ata kanë integritetin, qëndrueshmërinë dhe guximin për të mos i përkulur institucionet e Kosovës para interesave të huaja apo klaneve të brendshme që kanë punuar me vite kundër shtetit.

Le ta themi hapur: Kosova është lodhur nga amatorët, nga improvizatorët politikë dhe nga ideologët e rrejshëm që u treguan të aftë vetëm në një gjë – në shkatërrimin e besimit të qytetarëve. Ata që sot bërtasin për “shtet të drejtë” janë të njëjtët që e dëmtojnë çdo ditë drejtësinë. Ata që flasin për “patriotizëm” janë të njëjtët që e delegjitimojnë historinë çlirimtare. Ata që flasin për “revolucion” janë njerëzit e gabuar në vendin e gabuar.

Në këtë realitet të deformuar, vetëm uniteti i forcave çlirimtare mund të jetë grusht i fortë, i drejtpërdrejtë dhe dërmues ndaj çdo tentative për ta zhbërë shtetin nga brenda. Vetëm komandantët – njerëzit që mbajtën armën dhe popullin njëkohësisht – mund ta rikthejnë dinjitetin e humbur të institucioneve.

Rikthimi i tyre nuk është shpërblim. Nuk është privilegj.

Është mision.

Dhe mbi të gjitha, është paralajmërim: kush e prek Republikën, e prek trashëgiminë e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

Është koha që të thuhet troç:

• Shteti nuk është çiflig i askujt.

• Pasuria publike nuk është plaçkë.

• Institucionet nuk janë lodra për eksperimentet e diletantëve.

• Kosova nuk udhëhiqet nga ata që nuk e kuptojnë as luftën, as paqen.

Në skenën politike të Kosovës ka vendosur të rikthehet komanda e vërtetë, ajo që e di se çfarë do të thotë vendimmarrje dhe sakrificë. Ajo që e njeh kufirin mes interesit personal dhe interesit të shtetit. Ajo që e di se liria nuk është slogan, por çmim.

Dhe kjo komandë vjen me një mesazh të qartë:

Mjaft më me eksperimente! Mjaft më me keqmenaxhim! Mjaft më me anti-shtet!

Kosova po kthehet aty ku duhet të jetë:

në drejtimin e atyre që e çliruan, e mbrojtën dhe e duan këtë vend pa kushte./QendraPress/