Rrëfimi i Idro Seferit për pyetjen që ia bëri Koshtunicës ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
· Si një 22 vjeçar, para gati 15 vjetëve, pa shumë informata për Beogradin, Idro Seferi kishte shkuar në kryeqytetin serb për të nisur një jetë të re. Gazetarit shqiptar më pas, për gati 15 vjet i ka rënë të raportojë për shumë ngjarje madhore. Për jetën në Serbi, Idro ka rrëfyer gjerë e gjatë për Radio Televizionin Dukagjini.
Gati 15 vjetë përvojë pune si korrespondent nga Beogradi për shumë media, kanë bërë që Idro Seferi t’i njeh rrugët e një prej qyteteve të vjetra të Evropës, më mirë se shumë vendas.
Në njërën prej rrugicave të famshme është një hotel, historia e të cilit është e lidhur me shqiptarët.
“Ky është sheshi që njihet si pedonalja e Beogradit. Kurse, kjo quhet Pallati i Shqipërisë. Arsyeja është se në vitet e 20-ta ka pasur disa shkëmbime tregtare dhe plus si një shenjë falënderimi është konsideru për disa marrëdhënie në atë kohë që kanë qenë mes Serbisë dhe Shqipërisë ose shqiptarëve, ka qenë një kafe dikur në Beograd që është quajtur Shqipëria edhe kjo i ka mbetë emri, pavarësisht se administrata ia ka ndryshu shumë shpesh emrin zyrtar, njerëzit nuk e dinë si quhet por e dinë vetëm si pallati i Shqipërisë dhe është në qendër të Beogradit, tregon për RTV Dukagjinin, Idro Seferi
Në kryeqytetin serb, Idro ka ardhur si një 22 vjeçar, pa shumë njohuri për Beogradin. Në vitin 2006 atë bashkë me një gazetar tjetër, i kishte ftuar Natasa Kandiq për të përcjellë në Serbi seancat e para të gjykimit për rastin e masakrës së Suharekës. Disa muaj pas kësaj ngjarje, ai kishte vendosur që të nis një jetë të re këtu.
“Disa muaj më vonë kam vendosur që të nisem për në Beograd, por në atë kohë i pa punë këtu dhe vendosi vetëm ta testoj muhabetin në Prishtinë dhe në mediat shqip. Disa më thonë që nëse shkon atje, se nuk më besojshin as redaktorët përshembull, që nëse shkon në Beograd atëherë na telefono dhe ne flasim në një moment. Edhe fillova me kërku mënyra. E gjeta një mënyrë se si të vij deri këtu, por nuk e disha a mund të kthehem më, edhe kanë qenë momente mjaft të vështirë, duke e pasur parasysh se kam qenë i ri 22 vjec në atë kohë edhe nga kufiri e mbaj mend që e kam telefonu nënën edhe babën që jetojnë në Pejë që të ju them që po shkoj në punë në atë kohë në Gazetën Zëri që gjithcka është në rregull e të tjera se e disha që disa ditë të paktën nuk më telefonojnë dhe nuk shqetësohen dhe e bëra plan që kur të vij këtu ta shoh sistemimin, mundësinë, të ju them që kam ardhur të jetoj për disa kohë”, rrëfen me tej Seferi.
Nga Beogradi, Idros i ka rënë të raportojë për shumë ngjarje madhore, mes tyre edhe për pavarësinë e Kosovës.
“Unë kam qenë i vetmi gazetar në konferencën për shtyp të kryeministrit të atëhershëm Vojislav Koštunica i cili pati deklaruar shumë masa për Kosovën, madje tha në konferencë për shtyp që nga aj moment të gjitha ligjet e Serbisë vlejnë në tërë territorin e Kosovës dhe unë ndoshta tash si gazetar pak më i vjetër në moshën gazetareske të paktën, nuk do të kisha bërë pyetje të tilla, mirëpo më erdhi rasti dhe mundësia dhe e mora fjalën dhe ia bëra një pyetje banale, i thashë në rast se dikush nga kati i pestë në Prishtinë i hedh mbeturinat poshtë, si do ta gjobisni ju, cili është mekanizmi juaj për të vepruar?”, rrëfen tutje Idro.
Ky është njëri prej lokaleve ku ai vjen shpesh, për të takuar dy shoqet, Hellenan dhe Nellan.
Pronari i lokalit, nuk e preferon që në kafiterinë e tij të ketë xhirime televizive, por bën lëshim pasi bëhet fjalë për një televizion nga Kosova.
“Unë ju sugjeroj njerëzve që me e kuptu që edhe këtu edhe atje është shumë sigurt, që njerëzit më në fund duhet me i kalu kufijtë dhe me ardhë edhe në Beograd edhe në Prishtinë, në mënyrë që me e kuptu se e vërteta është pak më ndryshe, tregon Hellena Ballnozhan.
E në zyrë, në të cilën edhe banon, Idron çdo herë e pret qeni i tij, Bora.
“Tash ka qenë një periudhë e gjatë, kur kam ardhur në fillim nuk kam pasur as llaptop, kolegët e mi holandez për të cilët dikur kam punuar prej Kosovës pak ma kanë dhuruar llaptopin e parë, tash kam shumë pajisje pune. E kam edhe një studio me një vend tjetër në të cilën filmoj kryesisht emisione intervista në gjuhë të ndryshme dhe bëjmë punë të tjera. Natyrisht që këto pajisje kanë hjek shumë këtu, sidomos nuk e di nëse po shihet gazmaska ka qenë në cdo protestë të mundshme edhe në rajon, përfshirë edhe shumë prej tyre në Kosovë të cilat i kam raportuar kryesisht për mediat e huaja. Madje në protestat e fundit në Beograd që kanë qenë në korrik kam qenë i vetmi për shkak se gazmaskën nuk e heq kurrë nga bagazhi kam qenë ndër gazetarët e vetëm që kisha gazmaskë, drejtpërdrejtë kur ndodhën të shtënat aty në Beograd u kriju një lloj lufte e madhe dhe madje filluan gazetarët me spekulu se cfarë informata kisha unë që e kisha gazmaskën me vete”.
Qeranë për banesën, Idro ia paguan një shqiptari, pasi ka më shumë se një mijë të tillë që jetojnë në kryeqytetin e Serbisë./RTV Dukagjini