Rregullohet furnizimi me ujë për 14 fshatra të Hasit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se është bërë një aftësim i përkohshëm i pellgut ujëmbledhës në burimin e Soziut, në Nashec të Prizrenit. Ky aksion u ndërmor si pasojë e dëmtimit në këtë zonë, i cili ka shkaktuar probleme serioze në furnizimin me ujë të pijes për 14 fshatra të Hasit.
Pas përfundimit të aftësimit të përkohshëm, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se do të realizohen analizat e cilësisë së ujit. Me rezultate pozitive nga këto analiza, furnizimi me ujë të pijes për fshatrat e Hasit ka rifilluar normalisht.
Gjithashtu, “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar angazhimin për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për pellgun ujëmbledhës në këtë burim, në bashkëpunim me nivelet lokale dhe qendrore.
“Do të vazhdojmë aktivitetet intensive, në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prizrenit dhe Qeverinë e Kosovës, për të përgatitur një projekt sa më profesional për zgjidhjen afatgjatë të problemit të burimeve te Soziu në Nashec”, njofton “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.