Rrënohet kisha ortodokse serbe që gjatë luftës u ndërtua në oborrin e familjes së boshnjakes Fata Orloviq
Sot, nisi shembja e një Kishe Ortodokse që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e një gruaje myslimane të Bosnjës. Kisha ishte ndërtuar në fshatin Konjeviq Polje në pjesën e kontrolluar nga entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë. Në tetor të vitit 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, urdhëroi shembjen e Kishës, që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e Fata Orloviqit. Kjo e fundit, ishte detyruar që të largohej nga shtëpia e saj gjatë luftës më 1992-1995.
Më 1993 serbët kishin dëbuar banorët myslimanë të këtij fshati për në Srebrenicë, që ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, por që dy vjet më vonë, rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo konsiderohet si mizoria më e tmerrshme në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare, masakrën në Srebrenicë, e kanë cilësuar si gjenocid.Bashkëshorti i Fatas, së bashku me 20 anëtarë të tjerë të familjes, ishte vrarë nga forcat serbe në masakrën e Srebrenicës më 1995.Fata Orloviq, që tashmë është 78-vjeçare, dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes, kishin arritur t’i shpëtonin masakrës, por më pas kur u kthyen në shtëpi, e panë se vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, kishte nisur ndërtimi i një kishe.Gjykata vendosi se ndërtimi i kishës më 1998 ishte ilegale dhe urdhëroi autoritetet që të sigurohen që ky objekt do të shembej.
Vajza e Orloviqit, Hurija Kariq i tha Radios Evropa e Lirë se shembja e kishës ishte “fitore për nënën time dhe për të gjithë familjen, si dhe fitore për gjithë Bosnje dhe Hercegovinën”.
Që prej vitit 2000 kjo familje ka zhvilluar beteja gjyqësore për shembjen e kësaj kishe.Ky rajon është kontrolluar nga serbët që prej përfundimit të luftës, kur Bosnja u nda në dy entitete – Federata e myslimanëve dhe kroatëve dhe entiteti i udhëhequr nga serbët, që njihet edhe si Republika Srpska. Këto dy entitete kanë qeveritë e tyre përkatëse dhe kanë edhe institucione të përbashkëta qendrore.