Rreth 1 mijë nxënës braktisën shkollimin në Kosovë, mësimdhënës ka më tepër sesa nevojiten nëpër shkolla
109 nxënës nga klasa e parë e deri në të nëntën dhe 883 të tjerë të shkollave të mesme kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar. Kjo ka bërë që 1600 mësimdhënës të jenë më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit.Ministria e Arsimit do t’i rekomandojë komunave që të kenë kujdes me zëvendësimin e mësimdhënësve që dalin në pension, duke risistemuar ata që aktualisht janë të punësuar. Janë rreth 400-500 mësimdhënës të cilët gjatë vitit pensionohen, për të cilët edhe njohësit e fushës së arsimit, thonë se zgjidhja më e duhur do të ishte risistemimi i atyre që janë të inkuadruar në sistemin arsimor.Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për KosovaPress, se edhe vitin e kaluar ka pasur tepricë të mësimdhënësve, por siç thotë ai, për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve duhet punuar me klasa të vogla.“Është konstatuar se për këtë vit teprica është 1298 mësimdhënës dhe kjo është një situatë të cilën e kemi gjetur nëpër shkolla. Ndërkaq është e vërtetë se kjo tepricë vitin tjetër rritet për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve… Zakonisht në shkolla për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve punohet me klasa më të vogla, shembull nëse formohet një klasë me 30 nxënës, formohen dy klasë me nga 15 nxënës, dhe kjo pastaj bënë të mundur që ky numër i mësimdhënësve të mbetet në sistem”, theksoi Pupovci.Pupovci ka folur edhe për adresimin e këtij problemi, duke thënë se që nga viti i ardhshëm do t’i kërkojnë komunave që të mos t’i zëvendësojnë mësimdhënësit e pensionuar pa një analizë të mirëfilltë.“Duke filluar nga viti i ardhshëm, ne thjesht do t’iu kërkojmë komunave që të mos i zëvendësojnë pa një analizë të mirëfilltë mësimdhënësit, të cilët pensionohen, në mënyrë që të mos i dëmtoj ata që janë në sistem. Pastaj ideja është që të fillojë pagesa e orëve të kujdestarisë, ku tani llogaritet se me numër të orëve, rreth 447 mësimdhënës angazhohen me orar të plotë. Ata nuk mbajnë kujdestarinë me orar të plotë, mirëpo në këtë formë iu plotësohet norma njerëzve të cilët nuk e kanë normën, dhe një formë tjetër është ideja për futjen e menaxhmentit të mesëm nëpër shkolla, ku mësimdhënësit do të angazhohen në cilësinë e kryetarëve të aktiveve dhe një numër i orëve të tyre do t’iu dedikohen ushtrimit të funksionit të kryetarit të aktivit, pra edhe kjo do t’i prekë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve dhe në këtë mënyrë mund të arrihet një harmonizim në mes të numrit të nxënësve, i cili është në zvogëlim dhe numrit të mësimdhënësve, i cili është duke u ruajtur në nivelet e viteve të kaluara”, thotë Pupovci.Ai thotë se nuk është e domosdoshme që mësimdhënësit që pensionohen gjatë vitit, të zëvendësohen me të rinj, pasi mund të bëhet riorganizimi i klasave.“Rreth 400-500 mësimdhënës gjatë vitit pensionohen, pra nuk është e thënë që këta mësimdhënës të zëvendësohen me të rinj, në rastet e tilla kur mësimdhënësi pensionohet mund të bëhet edhe riorganizimi i klasave, dhe për këtë duhet të mendojnë edhe komunat. Pastaj këto funksionalitetet e reja në shkolla, siç janë ora e kujdestarisë, e kështu me radhë, bëjnë të mundur që mësimdhënësit të vazhdojnë punën por të ngarkohen me detyra të tjera të cilat nuk i kanë pasur ndoshta deri tani si detyra obligative dhe në këtë mënyrë arrihet njëfarë balanci”, vijon Pupovci. Sipas tij, braktisja më e dëmshme është kur fëmijët braktisin shkollimin e detyruar. Ndërsa ka përmendur edhe arsyet e nxënësve që braktisin shkollën.“Në shkollimin e detyruar, shembull vitin e kaluar kemi pas 109 nxënës të cilët kanë braktisë ose 0.05%, pra janë klasat një deri në nëntë. Pra braktisja është më e ndjeshme në këtë moshë sepse bëhet fjalë për shkollim të detyruar. Ndërkaq vitin e kaluar në arsimin e mesëm kemi pasur 883 braktisës, aty numri është më i madh, ose 1.19 %, kryesisht bëhet fjalë për gjininë mashkullore dhe kryesisht bëhet fjalë për shkaqe ekonomike. Pra në arsimin e detyruar, kjo ndodhë për shkak se këta fëmijë duhet të angazhohen për ta ndihmuar familjen e vet ose ndodhë për shkak të rasteve kur familja e neglizhon vijimin e rregullt të fëmijës dhe në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, ekzistojnë ekipet për parandalim të braktisjes dhe reagim ndaj braktisjes, të cilat në situata të tilla ndërmarrin hapa, deri edhe shkojnë nëpër shtëpi që t’i bindin prindërit që t’i kthejnë fëmijët në shkollë. Kjo është arsyeja pse ky numër është relativisht i vogël, sepse kemi një reagim të menjëhershëm. Mirëpo megjithatë braktisje ka, është në një shkallë të vogël por ka… Sa i përket shkollimit të mesëm, situata qëndron më ndryshe, aty kryesisht braktisin nxënësit e shkollave profesionale dhe braktisin në ato momente kur gjejnë punë”, tha ai.