Rriten shtesat për lehona nga 170 në 325 si dhe pagat e shërbyesëve publik

Qeveria në detyrë, sot ka vendosur të rrisë shtesat për nënat lehona dhe pagat e shërbyesve publik. Kryeministri Albin Kurti, po sot ka njoftuar se shtesa mujore për nënat lehona të papunësuara do të rritet nga 170 euro në 325.9 euro, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Për nënat lehona të punësuara, përveç pagesës prej 70% për 6 muaj nga punëdhënësi, do të ketë mbështetje për tre muajt e tjerë me 319.5 euro në muaj. Po ashtu, Kurti bëri me dije se pagat e mbi 80 mijë shërbyesve publik në Kosovë do të rriten dy herë gjatë këtij viti, me 55 euro secila herë. Rritja e parë është aplikuar që nga janari, ndërsa e dyta pritet të nisë në korrik. Kështu, paga mesatare e zyrtarëve publik do të arrijë në 865 euro në muaj, duke u rritur me 110 euro krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.