Rritja e vdekjeve dhe infektimeve me COVID, MSH-ja thonë se po e monitorojnë gjendjen – opozita: Jemi në situatë dramatike, diçka duhet bërë
Blendi Gashi
Shumë shtete të Evropës thuajse kanë rikthyer ashpërsimin e masave anti-Covid, shkaku i rritjes së infektimeve dhe vdekjeve. Rastet janë rritur ndjeshëm edhe në Kosovë, ashtu si edhe numri i vdekjeve. Megjithatë, vendi ynë vazhdon të jetë i “lirë” dhe pa ndonjë masë parandaluese për përhapjen e virusit, përjashto bizneset që mbyllin punën e tyre në ora 22:00. Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë, sipas IKSHPK janë regjistruar 17 vdekje nga COVID, derisa 781 persona kanë rezultuar pozitiv në testet SARS-COV-2, duke e çuar në 12 mijë e 808 numrin e kosovarëve aktiv të infektuar me Coronavirus.
Kjo gjendje po monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë, drejtimin e së cilës e ka rimarrë qysh të martën Arben Vitija, ministri që para një viti iu desh të përballet me situatën e krijuar pas shënimit të rasteve të para me Coronavirus në Kosovë dhe me mbylljen totale të vendit që nis kah mesi i marsit 2020 e vazhdoi për gati tre muaj.“Nuk është marrë asnjë vendim rreth ndonjë mase të re lidhur me COVID-19”, ka thënë të mërkurën Ministria e Shëndetësisë, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, përmes zyrës së saj për informim.“MSh është në monitorim të vazhduar të situatës epidemiologjike përmes institucioneve kompetente. Sigurisht, që do ta hartohet edhe Plani për luftimin e COVID-19. Para çfarëdo vendimi për ndonjë masë, publiku do të informohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.Nga ana tjetër, Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, i pyetur rreth mundësisë së vendosjes së masave të reja anti-COVID, ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë ftesë për takim nga Ministria e Shëndetësisë.“Nuk kemi ftesë për ndonjë takim”, ka deklaruar ai për Reporteri.net. Krasniqi, vetëm një javë më parë, kishte paralajmëruar se SHSKUK-ja mund të ballafaqohet me mbingarkesë të kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me COVID në spitalet në Kosovë.
Qëndrimi i opozitës…
Dramatike gjendjen me COVID-19 në Kosovë po e sheh një ish-Ministër i Shëndetësisë. Imet Rrahmani i LDK-së ka thënë se si mjek, rekomandon se Qeveria e Kosovës duhet fokusuar në masa që garantojnë respektimin e tri masave bazë në mbrojtje nga virusi derisa nuk e kemi vaksinën. Ish-ministri i Shëndetësisë nga Lidhjes Demokratike e Kosovës, thekson se diçka duhet bërë. S’është i prerë nëse duhet kthyer masat e rrepta të izolimit, por thotë se duhet ndjekur shembujt e vendeve tjera.