Rruga Tetovë – Prizren e nevojshme për 8 mijë kompani
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka në prioritetet e saja hapjen e rrugës mjaft të përfolur Tetovë-Prizren, shkruan Gazeta Online Insajderi.
Përveç një studimi që është bërë, më tutje kjo kërkesë edhe shumë banorëve të Maqedonisë perëndimore por edhe e sektorit të biznesit nuk është duke u jetësuar.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se janë më se 8000 subjekte që e kërkojnë këtë rrugë.
“OEMVP tradicionalisht para zgjedhjeve, organizon takime me të gjitha partitë serioze të mëdha të vendit, me qëllim të shpalosjes së platformës ekonomike të Odës. Shpesh, partitë integrojnë një pjesë të konsiderueshme të platformës tonë ekonomike në programet e tyre parazgjedhore, dhe pikërisht këtë pikë e kanë pranuar dy parti. Është kërkesë e kamotshme e sektorit të biznesit që kjo rrugë të ndërtohet dhe përshtatet edhe për automjetet e rënda të transportit me qëllim që t’u lehtësohet qarkullim i mallrave dhe shërbimeve kompanive aktive të regjionit të Pollogut të cilat tejkalojnë numrin e 8000 subjekteve”, pohon Drilon Iseni, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Krahas kësaj rruge po ashtu një kërkesë tjetër është edhe terminali në Jazhincë.
Ndërtimi i këtij terminali do të lehtësonte veprimtarinë ekonomike edhe në pjesën e Kosovës edhe në pjesën e Maqedonisë.
Këto dy kërkesa imamente të sektorit të biznesit do të kishin efekte për tërë ekonominë vendore dhe jo vetëm për një rajon të caktuar.
“Vlerësojmë se këtë rrugë dhe terminal nuk do ta shfrytëzojnë vetëm kompanitë e regjionit të Pollogut por gjithashtu edhe kompanitë që vijnë nga regjioni Jug-Perëndimor, të cilëve u shkurtohet rruga për një sasi të konsiderueshme të kilometrave drejt shtetit me të cilët kemi suficit të lartë tregtar. Eliminimi i kësaj barriere infrastrukturore për këtë pjesë të vendit, do stimulonte aktivitetin ekonomik edhe më tepër, për shkak se do redukton ndjeshëm kostot e kompanive të cilat eksportojnë dhe importojnë nga fqinji verior, si dhe do e përmirësonte klimën për turizëm për qytetet e këtij regjionit të cilat janë ndër më të mëdhatë në vend siç janë Tetova dhe Gostivari”, thotë Iseni.
“OEMVP do të vazhdon të lobojë drejtë realizimit të këtij projekti të rëndësishëm ekonomik për regjionin e Pollogut, për shkak se kjo fillimisht është interes i përgjithshëm shtetëror por gjithashtu edhe është pjesë e cila mbulohet nga përcaktimi strategjik i OEMVP-së për zhvillim të barabartë rajonal, dhe vlerësojmë se investimet në projekte të tilla do e përmirësonin statusin e saj si një ndër regjionet më pak të pazhvilluara, edhe pse ajo është regjioni i dytë më i populluar në vend”, shprehet Drilon Iseni, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Ministri për përmirësimin e klimës investuese Hisen Xhemaili, kohë më parë ka deklaruar se tre variantet e studimit të fizibilitetit përfshijnë ndërtimin e tuneleve.
“Një nga variantet është me tunel më të gjatë me gjashtë kilometra e 400 metra, një variant është me një tunel prej 3 kilometra dhe varianti i tretë është 1700 metra tunel. Të tre variantet dallojnë njëri prej tjetrit. Varianti me tunel më të gjatë nënkupton që tuneli të jetë në 1500 metra lartësi mbidetare dhe është paraparë të jetë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë në pjesën e lumit, variant i dytë është 3200 metra tunel, në lartësi mbidetare prej 1500 metra po ashtu i paraparë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë. Varianti i tretë që është në një gjatësi prej 1800 metrave tunel gjithashtu i paraparë mbi fshatin Veshallë por që është në një lartësi mbidetare prej 1800 metrave. Sipas ekspertëve variant më i mirë me kosto më të ulët është variant me tunel në gjatësi prej 3200 metrave”, ishte shprehur ministri Xhemaili.
Rruga me gjasë duhet të jetë rreth 60 kilometra.
Ndërtimi i kësaj rruge është një kërkesë e kahershme e banorëve që jetojnë në të anët e malit Sharr respektivisht Tetovës dhe Prizrenit.