Salih Mustafa shpallet fajtor, dënohet me 26 vjet burgim nga Specialja 
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim, për akuzat për krime lufte.Gjykata Speciale me seli në Hagë e ka shpallur fajtor për akuzat për torturë, ndalim, arbitrar dhe vrasje e paligjshme, ndërkaq është shpallur i pafajshëm në akuzën për trajtim mizor.“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, dënim me 10 vjet burgim për krimin e ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon 26 vjet burgim me dënim të njësuar”, tha kryegjykatësja.Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 28 shtator 2020, bëri paraqitjen e parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e mëtejshme më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë. /Reporteri.net