Sejdiu: Kuvendi zgjedhor i vitit 2019 është arsyeja e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kthyer në kujtesë Kuvendin e nëntë zgjedhor në LDK, duke thënë se ai “kuvend i pazareve të konsensusit” solli rezultatin e rëndë për LDK-në në zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Insajderi.Më 3 gusht 2019, Isa Mustafa kishte fituar mandatin e tretë në krye të LDK-së. Ai ishte zgjedhur kryetar me aklamacion, duke marrë shumicën e votave nga 355 delegatët e zgjedhur në kuvendet e degëve. Sejdiu, që ishte pretendent për kryetar, kishte marrë vetëm 78 vota. Pasi s’kishte marrë përkrahjen ai kishte lëshuar sallën gjatë mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor. Kuvendi kishte vazhduar me dyer të mbyllura.Të premten, pak ditë pasi Isa Mustafa njoftoi dorëheqjen si pasojë e rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, Sejdiu ka publikuar në Facebook videon e fjalimit që kishte mbajtur në atë kuvend zgjedhor. Aty ai dëgjohet teksa akuzon krerët e atëhershëm të LDK-së, përfshirë Mustafën, se nuk kishin pranuar bashkëpunim për të “ndihmuar në ecjen përpara të LDK-së”, teksa e ka quajtur atë kuvend si të pazareve.