Sekerinska: KFOR-i mbetet kyç për sigurinë në Kosovë, prania ushtarake nuk zgjidh sfidat pa dialog politik

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, ka folur për rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë, si dhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se gjendja e sigurisë në Kosovë vazhdon të jetë prioritet për Aleancën, veçanërisht pas tensioneve në komunat veriore.
“NATO mbetet e përkushtuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, sepse është rajon i rëndësishëm strategjik për ne. Prania jonë më e dukshme, përkushtimi ynë më i qartë, është me anë të misionit tonë të KFOR-it. Është misioni më i madh i Aleancës dhe kjo nuk është rastësi, sepse ne mendojmë që siguria në Ballkanin Perëndimor ka rëndësi për Aleancën dhe sepse besojmë që dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të përkrahet nga prania jonë aty. Misioni i KFOR-it është të garantojë paqe dhe siguri për të gjithë në Kosovë, të garantojë lëvizjen e lirë, por edhe të ofrojë ambientin e duhur që liderët politikë ta shtyjnë vendin përpara”, tha Sekerinska në një intervistë për Tëvë1.
E pyetur për shtimin e forcave të KFOR-it në Kosovë, Sekerinska tha se ky vendim u mor pas ngjarjeve të vitit 2023.
“Nëse më kujtohet saktë, shtimi ndodhi pas ngjarjeve në vitin 2023. Kemi shtuar rreth 1000 trupa, që nuk është pak; është ndër shtesat më të mëdha. Donim të siguroheshim që KFOR-i do të kryejë detyrën—pra, të garantojë paqen dhe sigurinë, sigurinë për të gjithë në Kosovë dhe lëvizjen e lirë. KFOR-i mbetet i përkushtuar dhe për këtë kemi bashkëpunim me të gjitha institucionet në Kosovë, me Policinë e Kosovës, me EULEX-in, si dhe bashkëpunim të mirë me forcat e armatosura serbe, me qëllim që ta përmbushim mandatin tonë. Besojmë se numri më i madh i trupave është i nevojshëm”, tha ajo.
Sekerinska tha se edhe pse fokusi kryesor i ministrave të jashtëm ka qenë parandalimi, mbrojtja dhe mbështetja e Ukrainës, shumë ministra kanë ngritur në takim rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor