Serbia jep leje, javën tjetër zhvarrosen trupat e shqiptarëve që u gjetën në Rashkë

0

Javën e ardhshme do të nis puna për nxjerrjen e mbetjeve mortore që u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, e që dyshohet të jenë të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.


Për fillimin e gërmimeve ka dhënë leje Gjykata e lartë në Beograd.

Madje të mërkurën atje udhëtuan edhe një delegacion nga Kosova për ta parë vendin e ngjarjes nga afër.

Këtë e ka konfirmuar për media, Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, në grupin punues për çështjen e të zhdukurve, Ibrahim Makolli.

“Gjykata në Serbi ka dhënë leje, besojmë që nga java e ardhshme do të fillojmë procesin e nxjerrjes së mbetjeve mortore. Janë ftuar zyrtarët tanë që të jenë në vendin e ngjarjes, kanë udhëtuar, atje i kemi tre zyrtarë dhe kur të kthehen do të na njoftojnë për zhvillimet në përgatitje të lokacionit për vazhdim të kërkimeve”, theksoi Makolli.

Makolli pret që në vazhdim institucionet e Serbisë të jetë më bashkëpunuese për t’i identifikuar lokacionet tjera të varrezave masive, pasi sipas tij, kanë njohuri për këtë.

“Në letër dhe në fjalë nuk kemi një vërejtje të madhe, por në praktikë në terren vërehet që ka pas pengesa. Ne jemi të vetishëm që ata posedojnë informata përkitazi me vendndodhjen e mundshme të mbetjeve mortore në Serbi edhe Kosovë. Po të kishte një gatishmëri dhe vullnet do ti dorëzonin këto informata përmes të cilave ne mund t’i gjenim këta persona”, shtoi Makolli.

Edhe kushtet atmosferike sipas Makollit mund të jenë pengesë për nxjerrjen e mbetjeve mortore nga varreza masive në Kizhevak.

“Ne i frikohemi vetëm kushteve atmosferike për shkak të terrenit që është edhe për këtë duhet të konsultohemi me ekspertët tanë mjekoligjor që punojnë në terren, s’ka arsye tjera për vonim të vazhdimit të kërkimeve”, potencoi Makolli.

Objektiv ka kontaktuar me telefon edhe me Drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliun,  i cili e ka konfirmuar që është tek varreza masive në Kizhevak në përgatitje të lokacionit të logjistikës për fillimin e gërmimeve.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 22 vite që nga lufta e armatosur në Kosovë, familjarët e 1643 personave të zhdukur ende po presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *