Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë
Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.
Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.
“Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.
Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.
“Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.
Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.
Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.
Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.