SFIDË TJETËR PËR QEVERINË – MIRATIMI I BUXHETIT PËR VITIN 2021 NË KUVEND
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se janë në finalizim të përgatitjes së Projektligjit të buxhetit dhe beson se do t’i kenë numrat e mjaftueshëm për miratim në Kuvend.
“Koalicioni qeverisës i ka numrat në Kuvend, ka më shumë se 61 numra. Unë besoj që edhe projektbuxhetin do ta votojnë deputetët në parlament”, tha Bajrami për KP.
Mirëpo, ndryshe shprehet kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, i cili vjen nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje.
Murati thotë se edhe për projektbuxhetin 2021, kjo qeveri nuk do t’i ketë numrat e mjaftueshëm për votim.
“Nëse një qeveri s’i ka së paku 61 vota nuk do të duhej të ekzistonte marrë parasysh që kemi edhe projektligje të tjera që sjellën në Kuvend. Andaj, nuk mund të pritet që në vazhdimësi që opozita ta mbajë qeverinë në këmbë. Tash pas një muaj do ta kemi edhe projektligjin e buxhetit, pra s’i mendojnë nëse si kanë 61 vota, si mendojnë ta kalojnë edhe atë projektligj që është krucial për funksionimin e një qeverie. Sfidë do të jetë në vazhdimësi, për secilin projektligj”, thotë ai.
E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi po kërkon që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë zhvillimor dhe për trajtimin e nevojave të ekonomisë për trajtimin e pasojave të pandemisë.
“Ajo që është me rëndësi të theksohet është që duhet me pasur me shumë investime kapitale në mënyrë që të ketë efekt të brendshëm në ekonomi, në të njëjtën kohë të ketë edhe masa tjera lehtësuese për biznese dhe forma të ndryshme të përkrahjes financiare për bizneset të cilat nuk do të rikuperohen së paku jo deri në fund të vitit 2021. Kjo varet edhe nga kohëzgjatja e pandemisë. Duhet të jetë një buxhet fleksibil në kuptim të nevojave që munden me ndryshua brenda ekonomisë së vendit”, thotë Rukiqi. Drejtues të Ministrisë së Financave kanë thënë se deri në fund të këtij muaj kur është afati i fundit do ta procedojnë për miratim projektligjin për buxhet në qeveri.