Shala akuzon Kurtin: Po bllokon rrugët ligjore e zhvillimore, qytetarët s’po mund t’i tërheqin mjetet e tyre
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala tha se të gjitha rrugët ligjore zhvillimore janë të bllokuara nga kryeministri Albin Kurti. Kjo sipas tij, ngase kreu i Qeverisë ka paralajmëruar se nuk është zgjidhje tërheqja e Trustit prej 30%, duke mohuar të drejtën qytetarëve t’i tërheqin mjetet e veta. Ai shtoi se do të koordinohen edhe me subjekte tjera dhe sigurisht që do të dalin me qëndrim konkret sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trustit. . Tutje, deputeti Shala theksoi se në vend se ta dërgojë në Kuvend Ligjin e pagave kreu i Qeverisë po paralajmëron rritje të tatimit në të hyra, e kjo sipas tij, do ta rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve, “Në anën tjetër në vend se të vije Ligji i pagave praktikisht po paralajmëron zvogëlim të pagave sepse rritja e tatimeve nënkupton që xhepi i qytetarit i secilit që merr pagë të jetë më i vogël. Të hyrat në ekonominë familjare pra qytetarët për ditë e më shumë e kanë të vështirësuar jetën e tyre dhe plotësimin e kërkesave të ekonomisë familjare me këtë inflacion të papërballueshëm që kemi”. Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.