Shaqir Totaj, i shoqëruar nga kryetari Bedri Hamza, prezanton planin ekonomik zhvillimor të Prizrenit
Kandidati për Kryetar, Shaqir Totaj i shoqëruar nga Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza kanë takuar komunitetin e biznesit dhe një numër të konsiderueshëm ndërmarrësisht me të cilët bashkëbiseduan dhe shpalosën programin për ekonomi për Prizrenin.
“I nderuar jashtëzakonisht me vizitën e mikut tim në Prizren, kryetarit të posagjezdhur të Mitrovicës, Bedri Hamza. Në takimin e përbashkët me bizneset dhe ndërmarrësit e Prizrenit, prezantova programin për ekonomi që në thelb ka forcimin dhe zhvillimin e qytetit. Brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes sonë, do të rifunksionalizojmë Zonën Ekonomike, kriteret e modalitetet e së cilës do t’i vendosim së bashku. Fondi për bizneset do të përkrahë ndërmarrjet ekzistuese e veçanërisht ato të reja duke ndihmuar në ngritjen e kapacatiteve e tyre prodhuese e eksportuese”, ka thënë Totaj.
Edhe kryetari Hamza, ish ministër i Financave, ka thënë se qytetarët e Prizrenit e kanë mundësinë të zgjedhin për kryetarin Totaj, një ekonomist e profesionist i zoti.
“Jam shumë i nderuar që jam sonte në qytetin e bukur të Prizrenit, në qendrën historike, kulturore, ekonomike dhe me një potencial jashtëzakonisht të madh ekonomik jo vetëm për Prizrenin por edhe më gjerë. Unë besoj në vlerësimin dhe gjykimin e drejtë të qytetarëve të Prizrenit, unë besoj shumë në fitoren e Shaqir Totajt me 14 Nëntor. Unë besoj shumë që z. Totaj do ta ketë një ekip shumë të mirë, të përgjegjshëm, profesional që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, sepse unë mendoj se nëse ndërtojmë një bazë me bizneset, ne ndërtojmë zhvillimin e komunës. Eksperienca e gjatë dhe puna e tij korrekte e z. Totaj, gjatë punës së tij në kuadër të Ministrisë së Financave, më bën të besoj se z. Totaj do të punoj bashkë me bizneset për zhvillimin e qytetit. Ju jeni ata që me 14 nëntor do të vulosni fitoren e z. Totaj, prandaj me 14 nëntor do të festojmë së bashku për fitoren e z. Totaj”, ka thënë Bedri Hamza.
Gjatë ditës, ata kanë vizituar edhe disa ndërmarrje dhe kompani në Prizren, përfshirë edhe fabrikën prodhuese Liri ku janë pritur nga udhëheqësit e saj.