Shifra zyrtare nga ASK, në Kosovë nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së që marrin pagë, por 37 mijë
Tema e veteranëve të UÇK’së, rritja e numrit të tyre, dhe pagat që ata i marrin duke ngarkuar buxhetin e Kosovës, është temë prej vitesh në vend, duke u folur për shifra reale e të rrejshme. Por sa është numri real i veteranëve të UÇK’së që marrin pagë nga buxheti i shtetit? Këtë përgjigje e ka dhënë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në një raport të publikuar ditëve të fundit.Në raportin e ASK-së, bëhet e ditur se në periudhën e parë të këtij viti, janar – shkurt 2022, se janë 37 mijë e 15 persona në vend që marrin pagën e veteranit të UÇK’së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Tema e veteranëve të UÇK’së, dhe numri i fryrë i tyre u aktualizua pas një deklarate të kryeministrit Albin Kurti dhënë në RTK. Ai tha se nuk ka asnjë mundësi që Kosova të ketë 60 mijë veteranë të UÇK’së, dhe numri real i tyre nuk mund të jetë mbi 20 mijë.“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, kishte thënë Kurti.Për më tepër ai nuk e mohoi mundësinë që do të fillohet me hetim për këtë listë, nga e cila sipas tij përfitojnë një numër i madh i njerëzve pa kontribuuar fare në luftën e fundit.Paga e veteranit prej 170 euro është e lidhur me pagën minimale në vend. Por tani kur po pritet që paga minimale të rritet në 250 euro, aty nuk do të përfshihet edhe rritja e pagës së veteranëve të UÇK’së, në linjë të njëjtë me pagën minimale. Një nga arsyet që qeveria jep për këtë, është edhe pretendimi se numri i veteranëve që marrin pagë nga shteti nuk është në përputhje me numrin e vërtetë të njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK’së. /Reporteri.net