Shkaku i COVID-19 paralajmërohet përfundimi i gjysmëvjetorit të parë më herët
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor mund të përfundojë më herët se që është i paraparë me kalendarin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Zemaj ka pohuar se kjo do të bëhet për të lehtësuar situatën me gripin sezonal dhe COVID-19.
“Sot do të ulemi pasdite, kemi marrë edhe raportet e IKSHPK-së dhe do të shohim për mbarëvajtjen e aktiviteteve shkollore, po insistojmë të shkurtohet gjysmëvjetori i parë, dhe ta lehtësojmë këtë pjesën me gripin sezonal edhe me Covid”, ka thënë Zemaj para mediave.
Ndryshe, trendi i rritjes së rasteve me coronavirus në Kosovë është duke vazhduar, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 626 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 5.
Nga 13 nëntori në fuqi kanë hyrë edhe masat e reja kufizuese, ku komunat janë kategorizuar sipas numrit të personave të infektuar me coronavirus.