SHKOLLA E HESHTUR E TEKI DËRVISHIT

Në një klimë kulturore ku vetëmburrja letrare, individualizmi krijues dhe konkurrenca e heshtur janë kthyer në normë, të shprehësh publikisht respekt për altruizmin estetik të një shkrimtari duket gati si një akt i pazakontë – madje, për disa, edhe si “turp” apo dobësi. Në një vend ku gjithçka matet me influencë dhe vetëpromovim, të falënderosh dikë që ka prodhuar vlera pa kërkuar famë personale, është si të flasësh një gjuhë që pak vetë e kuptojnë më. Dhe megjithatë, në historinë e letrave shqiptare, ekziston një figurë që e mishëron këtë virtyt në mënyrën më të pastër: Teki Dervishi – poet, dramaturg, eseist, por edhe mentor i heshtur i një brezi të tërë krijuesish, të cilët sot janë zëra kombëtarë në letërsi. Teki Dervishi nuk e pa asnjëherë letërsinë si një podium të vetmuar ku duhej të ngjitej vetëm. Ai e kuptoi se vlera e vërtetë e një krijuesi nuk qëndron vetëm në numrin e librave që boton, por në numrin e shpirtrave krijues që ndihmon të zgjojnë vetveten. Ai u bë portë për shumë të rinj – jo thjesht duke i redaktuar apo përkrahur, por duke i lexuar me përkushtim, duke u dhënë besim, duke u dhënë ndjesinë se krijimi nuk është një garë, por një dëshmi kolektive. Kjo është ajo që në letërsitë botërore quhet shpesh “shkollë letrare”, jo në kuptimin akademik, por në atë etik dhe estetik: një qendër graviteti shpirtëror, ku rreth një figure formohen zëra të rinj, jo si kopje të mjeshtrit, por si individë që rriten nën një klimë besimi dhe frymëzimi. A është “shkollë krijuese” altruizmi estetik? Pa dyshim që po! Altruzmi estetik në këtë rast nuk është thjesht gjest bujarie – është projekt kulturor. Shkolla krijuese që ndërtoi Dervishi nuk ka pasur tabela, zyra apo programe akademike – ajo u zhvillua në shtëpinë e tij, në tavolina redaksish, në biseda të gjata, në letra, në udhëzime të sinqerta dhe në aktin më të thjeshtë e më madhor: vëmendjen e thellë ndaj fjalës së tjetrit. Shkrimtarët që dolën nga ky rreth, pa përmendur emra të shumtë, sot janë autorë të njohur në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e më gjerë. Ata janë dëshmia se një njeri që shkruan, por edhe dëgjon, që krijon, por edhe ngrit të tjerët, mund të lërë gjurmë më të thella se ai që ngrihet vetëm për veten e vet. Të falënderosh publikisht një autor si Teki Dervishi për krijimin e një brezi të tërë shkrimtarësh, nuk është turp. Është njerëzi dhe vetëdije kulturore. Është kuptimi i thellë se vlera nuk lind vetëm në vetmi, por edhe në marrëdhënie të sinqerta mes mendjeve të ndritura. Të gjithë duam të lëmë një gjurmë. Por, vetëm disa e kuptojnë se gjurma më e thellë është ajo që mbetet te të tjerët. Teki Dervishi këtë e kuptoi. Prandaj, edhe nëse nuk i kushtojmë emërtime pompoze, ai mbetet një nga themelet e pashkruar të një epoke letrare shqiptare. Dhe ndoshta, për t’u çliruar nga klanet, xhelozitë dhe ftohtësia që përmbyt letrat shqiptare, duhet të mësojmë jo vetëm të shkruajmë më mirë – por të jemi më bujarë estetikisht, më të hapur shpirtërisht dhe më të vërtetë në ndihmë. Pas vdekjes së Teki Dërvishit “vdiqën” edhe disa “shkrimtarë” që u prodhuan nga lapsi i Dërvishit! “Dishepujt” e tij vazhdojnë edhe më tej ta kujtojnë dhe ta madhërojnë si “profeti” i letërsisë moderne shqiptare! /HEJZA/