Shkruan Ramush Haradinaj: Si mbërritëm deri këtu e si ta kthejmë Kosovën në rrugën e duhur 

Autor: Ramush Haradinaj


Pse gjendja në Kosovë sot është kaq e rëndë, shpërthyese dhe e pashpresë?!

Si ndodhi që Kosova nga një shembull i mirë demokracie në zhvillim dhe i një bashkëpunimi e partneriteti shembullor me faktorin ndërkombëtar, brenda natës të shndërrohet në vend problematik?!

https://gjc.gjirafa.com/Home/Index?type=3&gjid=70133378&v=2.1&guid=f0ed3399eef64aea8c4287a4dfcfc7a911c7baafd2ca4451888761c4f5e9b6b4

Cilat janë gabimet që i kemi bërë si shtet e si qeveri dhe çfarë do të ndodhte sikur të veprohej ndryshe?!

Cila do të ishte Kosova, sikur që nga fillimi Kryeministri e Presidentja të kishin insistuar në lidershipin amerikan për marrëveshjen e madhe për njohje me Serbinë, që do të nënshkruhej në Washington.

Cila do të ishte Kosova sikur nga pushtetarët në ardhje të mos ishte përmbysur projekti energjetik “Kosova e Re”, i cili nga janari i vitit 2023 do të fillonte prodhimin e 500 megavatëve. Sigurisht se Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.

Cila do të ishte Kosova, sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup-Prishtinë, një projekt ky me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Si do të ishte Kosova sot, sikur të mos i ishte hapur dera “pushtimit ekonomik serb” të Kosovës, me heqjen e taksës qindpërqind ndaj produkteve të Serbisë.

https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE Prandaj sot jemi në një situatë të vështirë e për më keq jemi shndërruar edhe në fajtor për gjendjen e krijuar në veri të vendit.

Unë jam i bindur se në gjendjen çfarë e kemi sot, askush nuk e ka komoditetin t’i mbyllë sytë e ta amnistojë kryeministrin, sepse në këtë mënyrë nuk e ndihmojmë as veten as atë.

Kosova assesi nuk guxon të lejojë që bandat dhe krimi ta marrë kontrollin në veri.

Por është e domosdoshme që Kosova njëkohësisht t’i gjykojë drejt edhe veprimet e veta dhe të institucioneve të saj.

Përfundimisht, kryeministri Kurti duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke i shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit.

Jam i bindur se SHBA dhe NATO nuk do ta lejojnë një gjë të tillë dhe do të kthehet normaliteti në veri.

Pas sanimit të pasojave nga gjendja e krijuar, secili që ka qenë i përfshirë në aktet kriminale në veri do ta marrë ndëshkimin e merituar, por edhe meritat për të gjithë ata që ishin në shërbim të mbrojtjes së Atdheut, posaçërisht policët të cilëve Kosova u ka shumë borxh.

Por a është e humbur shpresa për Kosovën dhe a mund të kthehet ajo në drejtimin e duhur. Sigurisht se po, por jo me këtë qasje që e ka kryeministri. Ai duhet të ndërrojë kurs, ose duhet të lëshojë rrugë.

E para, Kryeministri dhe Qeveria, nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, aq më tepër për procese nga të cilat varet perspektiva euro-atlantike e vendit. Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës dhe Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë.

Në planin e brendshëm, qeveria duhet ta fusë në zbatim Ligjin e Pagave me fillim në vitin 2023, t’i rikthejë pagat e prokurorëve e gjyqtarëve, t’i zhbllokojë mjetet e grumbulluara financiare të cilat po zhvlerësohen përditë dhe t’i lëshojë në qarkullim, të ndërhyjë në zbutjen e krizës ekonomike si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, duke përgjysmuar ose hequr krejtësisht tvsh-në dhe tatimin në fitim për artikujt elementarë apo duke e lejuar edhe tërheqjen e një përqindjeje të Trustit Pensional, ta rikthejë projektin e ndërtimit të termocentralit me thëngjill, ta rikthejë projektin amerikan për gazin, por duke rishikuar edhe plot vendime të tjera të tij, me të cilat ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi edhe në siguri.

Kryeministri duhet të heqë dorë nga strategjia e tij, për ta ndarë shoqërinë në “Ne dhe Ata”, duhet t’i demobilizojë “aradhat e tij fashiste” të rrjeteve sociale tek të cilat vlon urrejtja ndaj kundërshtarëve të brendshëm, duke mos kursyer as partnerët tanë të jashtëm. Ai duhet ta kuptojë se jemi shumë pak për t’u ndarë, dhe të ndarë e kemi shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur!

*Autori është kryetar i AAK’së. Përmbajtja e këtij shkrimi nuk paraqet qëndrimet e redaksisë.