Shoqata e gastronomeve e pakënaqur me paralajmërimet për masat e reja anti-Covid

0

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka reaguar pas masave të reja të propozuara ku pritet të kufizohet orari i punës në gastronomi dhe qendra tregtare nga ora 21:00 deri në orën 05:00 – përveç shërbimit “merre me vete”, njofton Insajderi.

Kwto masa pritet të hyjnë në fuqi nga dita e hënë, 02.11.2020

ShGK-ja ka kërkuar që të respektohet çdo vendim që ka për qëllim luftimin dhe parandalimin e pandemisë, mirëpo ka kritikuar institucionet, duke kërkuar nga to që të jepen sa më shpejtë formula ekonomike e politike për të dalë nga kjo gjendje.

Në reagimin e SHGK-së thuhet se “sektori i gastronomisë, edhe pa këto paralajmërimet e fundit është shumë i goditur dhe është duke vuajtur konsekuencat e masave të aplikuara gjerë më tani. Mirëpo, nëse vazhdojmë me këtë ritëm të bërjes së politikës dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, padiskutim që gastronomia do të ketë përmbysje dhe vështirë që do të rikuperohet për tu bërë siç ishte para pandemisë. Andaj, ju bëjmë thirrje institucioneve publike që të vazhdojnë të menaxhojnë pandeminë, të cilën shoqata jonë do ta mbështesë me të gjithë kapacitetin që posedon. Në anën tjetër urgjentisht, propozon që institucionet relevante të vazhdojnë me subvencionimin e linjës së pagave të punëtorëve, të fillojnë me subvencionimin e qirasë, ndarjen e granteve që stimulojnë afarizmin në gastronomi, dhe krijimin sa më të shpejtë të një pakoje që ka për qëllim mbështetjen e sektorit në pajtim me kërkesat tona”.

SHGK-ja ka caktuar për të hënën në ora 14:00 mbledhje të jashtëzakonshme pranë hapësirave të Odës Ekonomike të Kosovës, për të shteruar propozimet e anëtarëve të Kuvendit, dhe vendosur lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nga ta.

“Ju lutemi të gjithë gastronomeve, qytetarëve, dhe institucioneve që të bashkëpunojnë më shumë në luftimin dhe parandalimin e virusit, dhe të balancojnë harmoninë e marrjes së vendimeve që luftojnë pandeminë në njërën anë, dhe përkrahin ekonominë në anën tjetër”./Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *