Shqetësuese: 6-vjeçari në Skenderaj i del para veturës së babait që e vunë në lëvizje bashkë me shokë, përfundon në spital
Nuk janë të rralla rastet kur fëmijët e pësojnë nga loja që bëjnë me shokë e shoqe. Ata shpesh mund të bëjnë veprime të cilat janë të rrezikshme dhe që mund t’u shkaktojnë lëndime trupore. Një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 18:15 në fshatin Prekaz në Skenderaj, ku një 6-vjeçar u dërgua në spital si pasojë e lëndimeve nga ‘loja’ me fëmijët tjerë.Sinjali mëson se gjithçka kishte ndodhur kur 6-vjeçari po luante me disa fëmijë tjerë të cilët i ka familjarë, me të cilët kanë vendosur që ta testojnë nëse mund ta vënë në lëvizje veturën e babait të tij e cila ishte e parkuar në garazhin e shtëpisë.Në momentin që vetura filloi të lëvizte, 6-vjeçari ka dalë para veturës dhe në pamundësi për ta ndalur atë, vetura e ka mbështetur për muri të garazhit fëmijën, duke bërë kështu që ai të pësojë lëndime trupore.Si pasojë e lëndimeve të marra, 6-vjeçari u dërgua fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Por as aty nuk ndenji gjatë, pasi që prindërve të tij iu kërkua që ta dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.Rasti është denoncuar edhe në Polici, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të hapet rast ndaj babait të fëmijës për shkak se nuk e ka siguruar veturën në mënyrën e duhur.