Shqipëria përmes vajzës së Kadaresë po përpiqet ta anëtarësojë Kosovën në UNESCO
Besiana Kadare do të jetë sërish ambasadore e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), shkruan mediumi serb, “Kosovo Online“. Ajo ishte shefe e misionit shqiptar në këtë organizatë në vitin 2015, kur Kosova kërkoi të anëtarësohet atje. Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Ajo ka magjistruar në letërsi moderne dhe krahasuese dhe, mediumi serb shkruan se ajo njihet si person jashtëzakonisht i apasionuar pas Kosovës.Kadare është aktualisht ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe është në atë detyrë që nga viti 2016. Vitin e kaluar, ajo u zgjodh nënkryetare e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo ishte më parë në UNESCO nga viti 2011 deri në vitin 2016. Ajo ka punuar gjithashtu në Ambasadën e Shqipërisë në Francë në vitin 2008, si dhe me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në vitin 2005.