Shtatë të lënduar nga aksidenti në Dollc të Klinës, katër prej tyre në gjendje më të rëndë
Shtatë persona janë lënduar si pasojë e aksidentit që ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Dollc të Klinës, ku njëra nga veturat e përfshira në aksident u bë shkrimb e hi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar se katër nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë marrë lëndime trupore. Katër nga ta kanë lëndime më të rënda dhe janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, ndërkaq tre të tjerët me lëndime më të lehta janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë, Gashi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur sot në orën 12:19.
“Sot rreth orës 12:19 Policia është njoftuar për një aksident në fshatin Dollc. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kombi dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit, automjetet janë përfshirë nga zjarri”, ka thënë Gashi.