Shtypi kosovar pensionohet para kohe

Opinion nga studentja e gazetarisë Arjanita Havolli

Dikur në Kosovë kishte gazeta ditore, bile kishte shumë sosh. Sot, për çudi, nuk ekziston asnjë syresh. Pyesim: Sa vjet kanë shkuar, edhe si duket do të shkojnë, që ne të kemi diçka me vlerë sa i përket fushës më delikate, asaj të informimit të drejtë e të paanshëm. Gati sureale të thuhet se në një shtet, që njihet ndërkombëtarisht nga më shumë se njëqind shtete, nuk botohet qoftë edhe një gazetë e vetme ditore!?Kur është fjala për gazetarinë në Kosovë, ndryshe, nga çdo vend i rajonit dhe Evropës, 3 maji, dita e lirisë së shtypit, e gjen Kosovën për të tretin vit radhazi pa gazeta të shtypura. Më 14 mars 2020 është pranuar kontingjenti i fundit i gazetave, përfshirë “Zëri”, “Epoka e Re”, “Bota Sot” dhe “Koha Ditore”. Gazetat e shtypura u zhdukën nga kiosqet me shfaqjen e rasteve të para me Covid-19 në Kosovë. Atë natë Qeveria vendosi të fuste vendin në karantinim të përgjithshëm, përderisa shtëpitë botuese njoftuan se të nesërmen ishin numrat e fundit të gazetave që do të shisnin. Shtypja e ditoreve do të ndalej përkohësisht shkaktuar nga gjendja e re pandemike, e cila pamundësonte veprimtarinë e tyre botuese. Të vetmet gazeta që edhe pse kaluan në formatin online, e mbajtën versionin e shtypur të gazetës në PDF ishin “Koha ditore” dhe “Epoka e re”. Përgjatë këtyre tre viteve, masat anti-Covid u lehtësuan e larguan, mirpo gazetat më nuk u rikthyen në kiosqe. Me gjithë kërkesat për rikthimin e gazetave të shtypura, që nga ajo kohë asnjë gazetë nuk është shfaqur në tregun kosovar. Anipse shtëpitë botuese shërbehen me justifikimin se pandemia u hapi rrugë për ndalimin e botimit të gazetave të shtypura ditore, kushtet financiare ishin në të vërtetë ato që shtynë drejt rrugës së marrjes së këtij vendimi duke kaluar në media online. Aksionerët dhe biznesmenët që financonin mediat e shkruara, publikisht ose pas shpine, vitet e fundit i panë ato si mundësi për t’u inkuadruar në politikë. Kështu, gjersa anashkalohej misioni i vërtetë i medias, gazetat përdoreshin për të mbështetur politikanët të cilët shfrytëzoheshin më pas për interesa vetjake të bizneseve.Lexuesit shqiptarë që dikur me pasion e lexonin shtypin kosovar, sot gjenden në terr informativ. Në këtë mënyrë, sot shqiptarëve në Luginën e Preshevës, u është hequr mundësia që të informohen përmes gazetave kosovare, që do të thotë se komunikimi me Kosovën përmes shtypit ditor, është ndërprerë. Objektivë e subjektivë, janë faktorët ndikues që gazetat kosovare të mos jenë në duart e lexuesve të asaj ane. Ato gazeta nuk shiten më në Luginë të Preshevës që nga janari i vitit 2017. Personi i fundit i cili shiti gazeta kosovare në kioskë të Bujanocit nga viti 2006 deri në janar të vitit 2017 ishte Agim Rexhepi, nga Tërnoci. Ndërsa atë dhe gjithë të tjerët, sot rrethanat e detyrojnë që si alternativë tjetër të përdorin informimin përmes shtypit serb i cili është nën kontroll direkt ose indirekt të regjimit aktual politikë të Serbisë. Si mund të shpjegohet, fakti se sot në Kosovën e lirë nuk ka asnjë gazetë në gjuhën shqipe ndërsa në Veri të Kosovës ka dhjetëra serbe?! Është e pakuptimtë në shekullin e 21-të t’iu pamundësohet njerëzve të informohen në gjuhën e tyre amtare.  “Më thuaj sa gazeta ke, të them se kush je”, kjo thënie flet shumë për ata që kanë vesh por mjerisht ka hasur në vesh të shurdhër! Shuarja e gazetave në Kosovë është disfatë kulturore, kapitullim i gazetarisë së mirëfilltë dhe krim në fushën e informimit, pasojat e të cilit do të ndihen më vonë dhe në aspektin historik do të lënë gjurmë. Kjo sepse gazetat janë një memorie e arkivimit si për ngjarjet, ashtu edhe për vlerat e shoqërisë. Por si mund të ruhet historia e sotme e Kosovës pa shtypin fizik? Si do të jetë e mundur të kujtohet qeverisja e partive në pushtet kur brezat e ardhshëm nuk do të kenë ku ta kujtojnë atë? Që nga pandemia, mediat elektronike kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut. Ato nuk ruajnë asgjë. Sot janë, nesër nuk janë. Edhe ato që ende janë, kanë memorie afatshkurtër për faktin se si rrjedhojë nuk kanë kapacitet për të ruajtur kujtesën kolektive në serverët e tyre. Dhe si të tillë, ata rrezikojnë të ardhmen e të gjithëve. E ardhme kjo që kur të merret me të kaluarën e shoqërisë tonë, në mungesë të gazetave të shtypura, do të mbetet pa informacione plotësuese.Historia e shtypit e Kosovës nuk e ka kohën të pensionohet para kohe në këtë mënyrë. Kërkesat për gazetë të shtypur ditore nuk vijnë nga nostalgjia por nga besueshmëria e lajmit që përmes gazetës ditore është përcjellë te lexuesi sepse në gazeta ditore artikujt nuk kanë shkuar në botim pa i plotësuar kriteret dhe standardet e gazetarisë. Ndërkaq në ditët e sotme, lufta për klikime në portalet shkel e shko e dosido, ka ulur nivelin e lajmeve e artikujve profesionalë në vendin tonë.Tash e tre vite me rradhë, opinioni kosovarë është duke u dhunuar  nga televizionet dhe portalet e formuara viteve të fundit të cilave nuk u dihet as prejardhja as misioni. Kjo zhdukje “misterioze” e gazetave dhe mosvullneti për mbështetur në çfarëdo forme rikthimin e shtypit ditor në treg, është e pafalshme për institucionet e Shtetit, për Ministrinë e Kulturës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për ndërmarrjet informative të cilat merren me informimin dhe edukimin e shoqërisë në përgjithësi, për arsye se nuk ka shkaktuar fare shqetësime e as reagime për ata të cilët po krijojnë kaos duke keqpërdorur etikën, mjetet e informimit dhe misionin e medias. Bashkëkohanikët e dikurshëm që dinin rëndësinë e shtypit fizik, në këtë kohë më nuk mund t’i gjesh. Është ndoshta koha e fundit që dikush nga organet kompetente të bëjë diçka të vyer për këtë fushë e në këtë çast, sepse dikur do të bëhet vonë për këtë popull që vazhdimisht vetëm pret.