Sindikatat kundërshtojnë Projektligjin për Pagat, ende pa u bërë publik
Në muajin mars pritet të miratohet në Qeveri Projektligji për Pagat në sektorin publik. Por këtë draft projektligj, i cili nuk është ende zyrtar po e kundërshtojnë sindikalistët, edhe pse vlera e koeficientit bazë nuk është caktuar ende.Në Qeveri thonë se kanë nisur konsultimet me sindikatat, derisa disa nga këto të fundit thonë se ky projektligj nuk dallon nga ligji për paga i Qeverisë Haradinaj që ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.Gjykata Kushtetuese, më 30 qershor të 2020-s, e shfuqizoi Ligjin për Pagat, të sponsorizuar nga qeveria e atëhershme, e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Megjithatë, shpejt pritet që një ligj i ri i t’i rregullojë pagat e sektorit publik në vend.Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka deklaruar se projektligji për paga në sektorin publik është në fazën e fundit të hartimit. Sipas tij, ai dallon nga ligji tanimë i shfuqizuar sepse synimi i tij kryesor është që të krijoj një sistem të mirëfilltë, parimor dhe të qëndrueshëm për përcaktimin dhe rregullimin e pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.“Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme veçse ka filluar që të kontaktoj me të gjitha sindikatat relevante. Ministria e Punëve të Brendshme, sipas programit, planifikon që projektligjin në fjalë ta dërgojë për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës brenda muajit mars”, ka theksuar Kryeziu, raporton RTK.Në një draft të ligjit të ri janë caktuar koeficientet, por jo edhe vlera e koeficientit bazë. Megjithatë, edhe për ligjin e ri të pagave ka kundërshtime nga sindikalistët.Përfaqësues të sindikatës së infermierëve, thonë se pa marrë parasysh vlerën e koeficientit, nuk pajtohen me kategorizimin në ligjin e ri.“Ka diskriminim brenda komuniteteve të së njëjtës kategori, edhe pse ato komunitete kanë të njëjtin funksion, të njëjtën pozitë ato kanë dallim substancial në koeficient të pagave. Për shembull fizioterapeutët, teknikët e radiologjisë, logopedët kanë koeficient shumë më të lartë se infermierët kurse e kanë përgatitjen profesionale të njëjtë”, ka theksuar Enlirat Duraku, nënkryetar i Sindikatës së Infermierëve.
Ligjin e ri të pagave, ende pa u finalizuar, po e kundërshtojnë edhe në SBASHK.“Nëse përfillet ky versioni i tanishëm i bie që paga më e madhe në Kosovë do të jetë 20 herë më e madhe se paga më e vogël në sektorin publik. Problemi është se janë caktuar koeficientët por jo edhe vlera e tij, e sidomos është problematikë që do të jetë raporti i koeficientëve 1 me 20”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.Sindikalistët kanë paralajmëruar masa të ashpra sindikale, nga protesta deri te grevat, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.Me ligjin e shfuqizuar, vlera e koeficientit ishte paraparë të ishte 239 euro, derisa më i larti ishte për presidentin e vendit, që ishte paparaparë koeficienti 10, ndërsa me draftin e ri jozyrtar, vlera nuk është caktuar, por koeficienti më i lartë pritet të jetë 20.