Sipas Hoxhajt, Kosova ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa përfituar njohjen nga Serbia.
Enver Hoxhaj, ish ministër i Jashtëm i Kosovës, e ka cilësuar fatale për Kosovën gatishmërinë e Qeverisë Kurti për nënshkrim të propozimit të ri evropian për raportet me Serbinë, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Perëndimi.
Sipas Hoxhajt, Kosova ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa përfituar njohjen nga Serbia.
“Kjo është javë fatale për Kosovën dhe me pasoja kolosale për të ardhmen! U pranua Asociacioni që tashmë është autonomi, u pranua pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim në NATO dhe OKB, dhe 24 shtatori, si akt agresioni, kaloi si një ngjarje pa asnjë rëndësi dhe nuk solli asnjë përfitim për Kosovën dhe asnjë sanksion për Serbinë. Është koha që Qeveria të merr përgjegjësi politike dhe të japë transparencë, duke publikuar çdo gjë çka është pranuar, por, është koha gjithashtu që qytetarët të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë e Albin Kurtit që Kosovën e betonoi në pafundësi në status-quo. Këtë javë u hoq dorë përfundimisht nga qëllimet për të realizuar idealet themeluese të Kosovës së pavarur dhe përmbylljen e shtetësisë së saj!” ka shkruar ish-ministri i Jashtëm në Facebook.Pas takimeve maratonë të së enjtes në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai ka pasur gatishmëri për nënshkrim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve si dhe draftin e prezantuar nga emisarët perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mirëpo Vuçiq nuk e ka pasur të njëjtin disponim. Kurti ka thënë se drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë më 21 tetor në Prishtinë është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Ai bëri me dije se ky draft pastaj do të duhej ta kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese për t’u vlerësuar legjitim për Kosovën.“Në takimin e 21 tetorit nga emisarët na është thënë që drafti për vetmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do nënshkruhej parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra kushtetuesja jep vlerësimin e kushtetushmërisë së këtij propozimi”.Kurti tha se Kosova e do integrimin e serbëve në institucione, dhe si e tillë u ka dhënë shumë përkrahje atyre.“Ne ofruam që të nënshkruanim marrëveshjen Bazë të Brukselit të 27 shkurtit me aneks të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 te marrëveshjes në lidhje me nen 10 pra vetmenaxhimin. Samiti këshillit evropian është ngjarja dhe vendi ku do duhet të ndodhte kjo. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin. Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb kanë të drejta të garantuara, 17 perqind të përfaqësuesve lokalë në kuvende komunale janë serbë. Ne e dimë që deputetët nganjëherë bëjnë bojkot përkohësisht për ndonjë çështje por ta bësh bojkotin tërë kohën, ky është një dëm i madh që i bëhet komunitetit serb së pari, dhe pastaj përpjekje për të dëmtuar shtetin e Kosovës. Ne e duam integrimin e serbëve në jetën institucionale në Kosovë”, u shpreh kryeministri dje. /Reporteri.net/