“Skënderbeu ishte prej Hasi, fisi i tij quhej Mazrek
Hasi dardan është i pagë zuar me tre emra: Hasi i Rrafshit, Hasi i Gurit e Hasi i Brisë, që tregojnë natyrën e kësaj treve malore, plot gryka e qafa, bimësi dhe kullota alpine (sidomos për mbarështimin e dhisë autoktone të Hasit), shpate e pllaja të banuara, qarkuar gjithandej nga Drini i Bardhë dhe më pas ai i bashkuar. Në krye ngrihet mali madhështor i Pashtrikut, 1998 metra i lartë, plisbardhë si vetë hasianët, i denjë për të ngjizur e trashëguar legjenda, histori e rapsodi heroike. Qafa e Prushit, pikë kalimi kufitar, është një nga vendet e betejave me pushtuesit veriorë .Teksa Zymi përmendet dhe për abetaren e tij të vitit 1900. I sillemi rreth e qark Hasit, në kërkim të gjurmëve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, teksa ndër mend na vijnë ato që janë shkruar rreth origjinës së tij nga kjo anë. Në lëçitjen e tezave rreth origjinës së kryezotit të Arbërisë, ajo hasiane nuk ka pushuar as sot e kësaj dite. Përpos se në kumtesat e historianëve, ka shtegtuar dhe si folklor. “Skënderbeu ishte prej Hasi, fisi i tij quhej Mazrek”, i thoshte një malësor verior një gjirokastriti, njëqind vjet më parë, teksa vuanin së bashku dënimin në burgun mbretëror. Ky është ndonjëherë shqiptari, që ndonëse vetë e shkel ligjin e shtetit me të dyja këmbët, për historinë e vendit të tij flet si me qenë burrë shteti.Ngaqë publicistika e do t’i shohësh me sytë e tu e t‘i prekësh nga afër ato për të cilat shkruan, qofshin dhe gjurmë të historisë, u nisëm në terren drejt origjinës (së mundshme) hasiane të Skënderbeut, për të shkuar në javët që vijnë dhe në adresat e tjera të tij, falë miqve tanë që na e mundësojnë udhëtimin me fuoristrada, pasi vendet e Heroit Kombëtar më së shumti janë të epërme e nuk shkelen lehtë. Kemi ardhur në Mazrek të Hasit, nga ana e mbrapme e Pashtrikut, rreth 20 kilometra nga Prizreni, rrimë e kuvendojmë me banorët në klubin e fshatit, por nuk ngjitemi dot gjer te tempulli i tyre, Fregni në lartësi, ku rrallë janë ngjitur dhe historianët, specialistët e monumenteve të kulturës.I dëgjojmë ata ta rrëfejnë historinë e tyre, ashtu siç iu kanë mbërritur kujtimet nga të parët. “Fregni herët ka qenë 70 shtëpi dhe ndahej në dy lagje, Fregni i Madh e Fregni i Vogël. Mazrekasit flasin dhe sytë i mbajnë andej lart, shpatit të malit, ku ka qenë ngulimi i tyre i lashtë, si dhe Kalaja e Fregnit”. Muret e vjetra fshehin një histori jo dhe aq të shpaluar, kurse legjendat nuk sosin. Përcillet mot pas moti gojëdhana se ra murtaja dhe njerëzit e Fregnit ikën e u strehuan në një shpellë në breg të Drinit, ku mbijetuan. Por ajo majë nën Pashtrik ka parë dhe tragjedi “biblike”.Thuhet se 200 seminaristë (xhakonë) janë vrarë nga pushtuesit, duke e shuar kuvendin e tyre fetar të një moti të largët. Pashai kishte çuar fjalë se ai që do t’ia sillte në tepsi kokën e priftit, do t’i falte një faqe bjeshke, ku të ishte më e mira. Kjo ngase priftërinjtë ishin udhëheqësit e rezistencës antiotomane. Fregni atje në kodër kishte pasur edhe kishën, kumbona e së cilës, simbas banorëve, kishte qenë te porta e kalasë. “Ka pas blue mullini në kala. Gurra jonë ka pasë pesë mullinj uji (një masë e lashtë), por tash asht pakësue shumë”. Hasi ishte dheu i dinastisë së Bogdanëve: Andreas, Gjonit, Lukës dhe Pjetër Bogdanit, Palit të Hasit, Pjetër Mazrekut, Dërvish Salihut, At Shtjefën Gjeçovit, Anton Pashkut, Katerina Josipit etj. Toponimet kishtare janë një dëshmi e gjallë e monumentalitetit të këtij vendi, ku e përmendur ka qenë kisha katolike e Milajt, po dhe Hani i Shkretë ose i Tugjarëve, përndryshe tregtarëve, që bënin tregti nga Shkodra në Nish. Të gjitha këto i mëson atje mes atyre maleve, mbi Drinin e Bardhë, dhe jo në kafenetë e Tiranës që kundërmojnë pafund politikë dite. Nxënësit e shkollës “Pjetër Mazreku” e dinë se Skënderbeu është i dheut të tyre, por më shumë nga librat sesa nga pleqtë e fshatit. Duhet të rrëmosh fort në kujtesën e tyre, që të mund të dalë ndonjë “gur xhevahiri” i moteve të largëta. Ashtu fjalë pas fjale, befas, i moshuari Halil Jahaj zbulon se ka pasur mbiemrin Kastrati. “Unë jam fis Kastrati”, thotë ai. “Kemi pas komshi fisin Tanushi”.Pasi rreshton pesë breza myslimanë, në trungun e tij shfaqet Kola katolik, vëlla me Gerën po katolik. Praninë katolike e dëshmojë shumë toponime të Mazrekut, po dhe të fshatit Gjonaj më poshtë (Ara e Nikës, Hurdha e Lleshit etj.). Valët e trazuara të jetës hasiane e kanë ndry si një palimpset emrin Kastrat, që nga studiuesit besohet se ka dhënë Kastriot. Nuk është vetëm punë gojëdhanash kjo, por dhe historiografie. Frang Bardhi, në veprën e tij “Apologjia e Skënderbeut” (1636), mbron tezën e origjinës së Kastriotëve nga Hasi. Pasi përshkruan mirë e bukur fshatin Kastrat, shkruan se të drejtën dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon për veten e saj një familje e përmendur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvendësve tanë me emrin “Kastrati”.
Prej kësaj familjeje kanë dalë shumë burra të dalluar për mençurinë dhe trimërinë e tyre luftarake. Këta burra, që edukohen sipas normave të krishtera, sjellin shërbime të shquara në luftën kundër turqve. Unë, për shumë arsye, guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen “Kastriotë”, pohon Frangu. “Kastriotët, mbas gadi të gjithë shkrimtarëve të jetës së Skënderbeut, e muerën emënin prej ndoi ’i vendit të quejtun Kastri, ku të parët e tyne xune vend, por mbiemni i parë i tyne duket se kje Mazrek”, shkruan Marin Sirdani. Nëpër burime historike, Kastriotët mbajnë dhe një mbiemër të dytë, Mazreku, të cilin e gjejmë sot si emër fshati në Hasin e Kosovës dhe emër të një lagjeje, Mazrek, në fshatin Vranisht të Hasit të Shqipërisë, shkruan studiuesi hasian Muhamet Dauti, duke iu referuar “Historisë së Shqipërisë”, Tiranë, 1967.
Historiani Jahja Drançolli, pasi vëren se “në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, sjell disa dëshmi në favor të origjinës hasiane të Heroit Kombëtar, duke cituar si dhe të tjerë para tij, përpos Bardhit, edhe librin e Lukarit “Analet e Raguzës” (1605), ku thuhet se Gjon Kastriotit, zotërues i Krujës, familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën juridiksionin e Hasit të Arbërisë, jo fort larg nga lumi Drin, apo një manuskript të shekullit XVI ku shënohet se “Kastriotët ishin nga provinca Hasi në Epir” etj.
Ashtu si Drançolli, edhe historiani Gjon Keka, lidhur me Kastriotët shkruan se “teza më e saktë është se ata ishin fis Kastrati dhe vinin nga Hasi i Prizrenit”. Në kërkim të gjurmëve hasiane të Skënderbeut, kemi ardhur dhe në Krumë, në anën e këndejme të Pashtrikut, ku në një ballinë pallati na zënë sytë tabelën “Rruga Kastriotët”. Drejtori i Zyrës Arsimore të Hasit, Selman Qema, na shoqëron drejt fshatit Vranisht, sipër të cilit shtrihet lagjja Mazrek, “vëlla” me Mazrekun matanë Pashtrikut. Kastratët, për të cilët flet Bardhi, banorë të Kastratit të Hasit, tashmë janë një “fis” i madh, jo vetëm në Has, Prizren e Kukës, por dhe Tiranë, diasporë etj.
Emrat Mazrek e Kastrat i gjejmë të pandarë dhe në Shkodër, si toponime dhe antroponime. Na duket se ka një zgjatim disashekullor nga Imzot Pjetër Mazreku i Hasit të Dom Nikollë Mazreku i rrethinave të Shkodrës, i cili pati shkruar dhe një libër për Skënderbeun, që e kemi prekur fletë-fletë në dorëshkrim në shtëpinë e motrës së tij Marijes, në Shkodër, këtu e 15 vite më parë. Mazrekët dhe Kastriotët i kemi afër e afër dhe në Dibër si vendbanime, ku gjithashtu banorët e lidhin veten e tyre me origjinën, praninë dhe zotërimet e Kastriotëve atje./B.S/